Berisha “harron” Mediun në qeveri
Megjithëse prej 58 ditësh ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka dhënë dorëheqjen nga posti që mbante që prej shtatorit të vitit 2005, ai është së bashku me ministrat e tjerë të kabinetit në foton zyrtare që ndodhet në faqen e Këshillit të Ministrave. Nëse klikon në faqen zyrtare të qeverisë, poshtë fotos së kryeministrit Berisha ndodhet foto e kabinetit qeveritar, e cila është bërë pak kohë pasi u bë edhe ndryshimi i fundit në qeveri, ku ish-ministri i Drejtësisë, Ilir Rusmali, dha dorëheqjen pas një konflikti me drejtorin e Burgjeve dhe në vend të tij u dekretua ish-këshilltari i kryeministrit Berisha për anti- korrupsionin, Enkelejd Alibeaj. Në këtë foto shihet edhe vendosja e ministrave ku në krah të djathtë të kryeministrit Berisha ndodhet Gazmend Oketa, në atë kohë në postin e zv/kryeministrit, kurse tani në postin e ministrit të Mbrojtjes. Ndërkohë në reshtin e dytë të fotografisë, janë me radhë ministrat Alibeaj, Gjana, Ndoka, Bode, Ruli si dhe ministri i dorëhequr tashmë, Fatmir Mediu. Ndoshta kreu i qeverisë është duke pritur futjen sërish të Partisë Republikane në qeveri për të 'detyruar' edhe njëherë ministrat e kabinetit të tij, për t'u vendosur para pjesës së brendshme të godinës së Kryeministrisë për të bërë foton e radhës. Ndërkohë, në përbërjen e qeverisë, stafi i kryeministrit Berisha ka bërë kujdes që të pasqyrojë ndryshimet e fundit. Kështu nëse klikon në 'Qeveria-Përbërja' shihet se Gazmend Oketa ka marrë postin e ministrit të Mbrojtjes, kurse Fatmir Mediu nuk figuron në listën e ministrave.