E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhiu: LVV nuk ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestat në Tiranë

PRISHTINË, 19 tetor/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar sot lidhur me protestat në Shqipëri, duke vlerësuar se institucionet atje duhet t’u kushtojnë vëmendje kërkesave të studentëve dhe të angazhohen për tejkalimin e situatës.

Haxhiu ka kundërshtuar përdorimin e dhunës, duke bërë thirrje që të dyja palët të përmbahen nga veprimet e tilla. Sipas saj, një qasje serioze dhe e matur është e domosdoshme për tejkalimin e ndasive, ndërsa shtoi se arroganca mund të nxisë protesta të mëtejshme.

Kryetarja e Kuvendit është deklaruar edhe për pjesëmarrjen e mundshme të mbështetësve të Lëvizjes Vetëvendosje në protestat në Shqipëri.

Ajo ka mohuar se partia ka bërë thirrje për pjesëmarrje, duke theksuar se LVV-ja nuk mund të mbahet përgjegjëse për vendimet individuale të mbështetësve të saj.

Haxhiu ka shtuar se mbështetja qytetare për Vetëvendosjen nuk nënkupton se partia organizon apo drejton pjesëmarrjen e simpatizantëve të saj në protesta jashtë Kosovës.

Prej shtatë ditësh, studentë, nxënës dhe qytetarë kanë protestuar në Tiranë dhe qytete të tjera në Shqipëri. Tubimet e ditëve të mëparshme janë shoqëruar me episode dhune dhe ndërhyrje të Policisë së Shtetit, djegie të disa bizneseve private, sulme ndaj institucioneve shtetërore dhe lëndime nga të dyja palët. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›