E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhiu: Serbia po i strehon kriminelët e luftës

PRISHTINË, 2 maj/ATSH/ Ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu u shpreh se Serbia nuk u mjaftua me vrasje, por dëshironte që ta linte edhe krimin pa u gjykuar.

Këto komente ajo i bëri në një takim përkujtimor kushtuar 116 civilëve shqiptarë që u masakruan nga forcat serbe në Studime të Vushtrrisë, më 2 maj 1999.

“Serbia nuk u mjaftua me vrasje. Ajo deshti ta zbraste vendin, ta thyente familjen, ta poshtëronte të mbijetuarin dhe ta linte krimin pa gjykim. Edhe sot e kësaj dite Serbia i strehon kriminelët e luftës. Kështu vepron një shtet ku krimin e ka politikë”, tha Haxhiu.

Civilët që në atë kohë u vranë brenda dy orëve, u kujtuan nga përfaqësues të subjekteve politike qëndrore dhe lokale, veteranë dhe familjarë të viktimave. Aty u pa edhe bashkëshortja e ish presidentit Hashim Thaçi.

Para të pranishmëve, kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi tha se civilët ishin të pambrojtur dhe të pafajshëm.

Ndërsa, gjenerali i luftës e kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj theksoi se detyra e të gjallëve është të ruajnë kujtesën, por edhe të mos lejojnë që historia të përsëritet.

Pas akademisë u vendosën lule tek lapidari i martirëve.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›