E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi: Rezoluta e IDU denoncon përndjekjen politike ndaj drejtuesve të opozitës

TIRANË, 2 maj /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, përshëndeti sot rezolutën e tetë për Shqipërinë të miratuar nga Bashkimi Ndërkombëtar Demokrat (IDU), duke e cilësuar atë si një reflektim realist për situatën politike dhe demokratike në vend.

Përmes një deklarate për mediet, Blushi shprehu mbështetjen e plotë për këtë rezolutë që sipas tij, evidenton krizën e thellë politike, institucionale dhe demokratike në Shqipëri, si dhe shqetësimet në rritje për ecurinë e procesit të integrimit evropian.

“Partia e Lirisë përshëndet dhe mbështet plotësisht Rezolutën e 8-të për Shqipërinë të miratuar nga Bashkimi Ndërkombëtar Demokrat (IDU), që jo vetëm reflekton me realizëm dhe përgjegjësi situatën shumë të rëndë dhe krizën e thellë politike, institucionale dhe demokratike në vend, por shpreh shqetësimet në rritje të organizatës globale të partive të qendrës së djathtë dhe të djathta, në lidhje me  zhvillimet dhe stanjacionin e procesit të integrimit europian të vendit.

“Partia e Lirisë falenderon me mirënjohje IDU për mbështetjen ndaj integrimit europian të Shqipërisë dhe për denoncimin shumë të qartë ndërkombëtar të Narkoregjimit mafioz të Edi Ramës në lidhje me pengesat e qëllimshme që po i bën këtij procesi nëpërmjet kapjes dhe kriminalizimit të shtetit të çdo qelizë, farsave zgjedhore dhe përndjekjes politike të tre drejtuesve kryesorë të opozitës”, theksoi ai.

Blushi thekson më tej se nuk mund të ketë integrim të vërtetë europian pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, institucione të pavarura dhe një sistem drejtësie të paanshëm. Blushi nënvizoi se, Partia e Lirisë shpreh angazhimin për rikthimin e standardeve demokratike, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe ndërtimin e një shteti ligjor.

“Partia e Lirisë mbetet e vendosur për të kontribuar në rikthimin e standardeve demokratike, në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, atyre kushtetuese dhe në ndërtimin e një shteti ligjor ku drejtësia nuk përdoret si armë politike dhe si mjet ndëshkimi e persekucioni politik, por si garanci për liritë dhe të drejtat e çdo qytetari”, theksoi Blushi.

Gjithashtu, Bushi i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe partnerëve euro-atlantikë që të monitorojnë nga afër zhvillimet në vend dhe të mbështesin përpjekjet e opozitës për forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›