E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hektor Dule: Nuk jam skulptor, punoj me skulpturën

Nga autorët e mbetur jashtë linjës muzeale të Galerisë Kombëtare të Arteve, është një tjetër emër i rëndësishëm, skulptori Hektor Dule.


Krijimtaria e shtrirë në tri kohë, punët e bëra me porosi "nga lart", nudot e krijuara në fshehtësi. "Kam përqafuar metodën e realizmit dhe nuk bëj shartim me shkolla të tjera"


Ka pak kohë që në studion e tij në Tiranën e Re, ka vënë rregull, madje akoma ndihet era e gëlqeres së re në mure. Studioja është e gjitha e bardhë, edhe bocetet e punëve të hershme dhe të vona që janë vendosur rreth e qark, të vrasin sytë me bardhësinë e tyre.


Gjithkund rafte, mes tyre qindra punë të përfunduara dhe të lëna përgjysmë.
Skulptori është kujdesur që të gjitha raftet t'i mbulojë me një pëlhurë, edhe ajo e bardhë, por fatmirësisht, është aq e hollë sa mund të shohësh tejpërtej.


Çfarë mund të shohësh? Por ja, për shembull, një bocet të Deas së Butrintit, një bocet të Skënderbeut, një tjetër me trajtën e figurës së Azem Hajdarit, disa nudo, e në krye të studios një bust me përmasa jo reale të Eqrem Çabejt.


Të gjitha, sipas skulptorit Hektor Dule, e kanë nga një histori. Por historia më e vjetër është e tij. Hapat e parë në Liceun Artistik, në Tiranë, formimi si skulptor në shkollën e lartë industriale në Pragë, rikthimi në Shqipëri, metoda e realizmit socialist dhe ditët e sotme. Në më shumë se gjysmë shekulli krijimtari, nuk i ka numëruar kurrë punët që ka krijuar, madje tani që është në pension edhe mund të nisë një kërkim për ato që kanë mbetur.


Puna që ka në duar është një bocet i vogël i një objekti me trajtë njerëzore, që është gjetur së fundmi në parkun arkeologjik të Apolonisë.


Hektor Dule, një emër i rëndësishëm për skulpturën, është nga autorët e mbetur jashtë linjës muzeale të sapokrijuar në Galerinë Kombëtare të Arteve. Krijimtaria e shtrirë në tri kohë, punët e bëra me porosi "nga lart", nudot e krijuara në fshehtësi dhe deklarata: "Kam përqafuar metodën e realizmit dhe nuk bëj shartim me shkolla të tjera."
Ai foli për këto gjatë pushimit të drekës dhe ndau me ne disa kujtime.


Ju jeni një artist që keni pasur mundësinë të krijoni në tri kohë. Para shtrëngesave të metodës së realizmit socialist, gjatë saj dhe pas rënies së komunizmit. Si janë pasqyruar në artin tuaj këto faza?


Deri në vitin '64 munda të bëja dy figura nudo. Nëse këtë gjë do ta kisha bërë një vit më vonë, do të kisha përfunduar në burg, sepse në Pleniumin e 15-të të Komitetit Qendror, më 1965-ën, u vendos me ligj metoda e realizmit socialist. Kush i kundërvihej asaj metode, përbënte krim dhe dënohej. Dhe unë në vitin 1966 realizova "Në një dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën".

Ndalemi pak te nudot. Kur i realizuat dhe si i priti publiku i kohës?


Jo me ilaritet, sepse çdo gjë ishte e maskuar. Madje, më thanë që duhej t'i vishja, unë u vura dy viza, gjoja si të brendshme, por atëherë dukeshin më shumë të zhveshura. Edhe sot pyes si mund ta konceptonin në atë kohë? Pse nuk duhej pranuar nudoja? Figura e zhveshur e njeriut është e bukur, leckat nuk kanë asnjë vlerë. Dhe sidomos femra, ajo gjithmonë aspiron që të nxjerrë në pah atë që ka të bukur.


Mirëpo etika nuk e lë. Nudoja është trajtuar 2000 vjet më parë dhe pothuajse 500 vjet para Krishtit. Mendo që në shekullin e XX, në mes të Evropës, ne nuk mund ta trajtonim, pavarësisht se në shkollë trajtohej. Në fillimet e shkollës, në vitin '59, nudoja ishte e pranishme, por nuk ekspozohej në publik. Më vonë u frenua paksa, u bë gjysmë e veshur.

Ju në të njëjtën kohë që keni krijuar nudot, keni krijuar edhe vepra mirëfilli të realizmit socialist.


Më 1965-ën bëra "Në një dorë kazmën, në tjetrën pushkën", emblemën e kohës, e cila u shoqërua edhe nga një himn, i cili ishte projektuar të bëhej Himni Kombëtar, por që mbeti vetëm aq.


Kjo figurë, sipas kolegëve të mi skulptorë, përveç zgjidhjes vulgare që ishte në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën, modelimi ishte disi korrekt. Kishte një farë fryme skulpturore të shëndetshme, po vetëm kaq, si zgjidhje ishte tepër vulgare. Tri herë e kam bërë atë vepër, sepse e kërkonin, e fundit ka qenë për Muzeun Kombëtar.

Si vijoi puna juaj gjatë kësaj periudhe?


Askush nuk na i ka diktuar punët, ishte një koncept i përgjithshëm i sociorealizmit, ne u mësuam, u familjarizuam. Në shkollën e lartë industriale artistike në Pragë, ndryshe UNPRUM, ku mbarova unë, pranoheshin të gjitha konceptet estetike, duke filluar që nga abstraksionizmi dhe deri tek realizimi.


Kurse këtu tek ne rreptësisht duhej, sidomos pas Plenumit të 15-të të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë të vitit 1965, të përdorej metoda e realizmit socialist. Ne ishim të detyruar të bënim autocensurë. Por jo çdo gjë që krijonim ishte pa vlerë.

Cilat nga këto punë të sociorealizmit do të uronit që të mos i kishit bërë kurrë?


Të them të drejtën, nga të gjithë punimet që kam bërë, asnjë nuk fshij, të gjitha ato që i kam bërë i vlerësoj, sepse lidhen me një periudhë të caktuar të historisë së popullit tonë, të Luftës Nacionalçlirimtare, që ishte një domosdoshmëri historike për ta reflektuar në veprën e artit. Historia e popullit shqiptar e derdhur në bronz mungon.

Dhe për cilat prej tyre krenoheni?


"Në udhët e luftës", e cila është në Parkun e Liqenit Artificial; "Përmendorja e Luftës" në Mushqeta, e cila i kushtohet shpartallimit të kolonave gjermane që do të hidhnin në erë Tiranën; "Monumenti i rezistencës në Durrës" bashkë me Fuat Dushkun; figura e Shqipërisë në hollin e Pallatit të Kongreseve, e cila është në dimensione të mëdha, paraqet një figurë femre me flamurin që i mbështillet rreth trupit; relievin e Skënderbeut në Gjirokastër, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së tij; Relievi i Kryeministrisë në bashkëpunim me Muntaz Dhramin, Shaban Hadërin dhe Kristaq Ramën, e të tjera që nuk më kujtohen. Janë punime që domosdoshmërish, në një kohë të caktuar, duheshin bërë.

A është shkatërruar ndonjë nga punët tuaj?


Figura e Enver Hoxhës që m'u dha pas fitimit të një konkursi, dhe që më pas do të vendosej në Pogradec. Shkatërrimi nuk sjell asgjë, flas për vlerat dhe nuk vendos këtu politikën. Paçka se edhe kur e bëra, më 1988-ën, isha i ndërgjegjshëm se, shumë-shumë, jetën 6 vjet e kishte, sepse diktatorët nuk kanë pasur kurrë asnjëherë përmendore.

Ndërkohë që artet në Shqipëri ishin mbyllur në suazën e realizmit socialist, në botë ato vazhdonin rrugën e tyre të evoluimit. Ju sa jeni përpjekur të mos humbisni lidhjet me to?


Tek unë, sipas Sali Shijakut, gjithmonë është ndjerë një lloj romantizmi, dhe sipas Danish Jukniut, puna ime nuk ishte një realizëm i mirëfilltë, por një realizëm disi romantik dhe nuk ka të bëjë fare me realizmin socialist. Madje, Danishi dhe Saliu, një herë më thanë: "Në vendosje, në kompozim, ti ke një sens të një realizmi modern". Gjithmonë e kam parë veten me këtë sy.


Them që, si produkt i kohës, unë nuk kam si dal jashtë kohe. Unë kam përqafuar metodën e realizmit dhe nuk bëj shartim me shkolla apo mendime të tjera estetike. Sepse një shkollë realiste ka gjithë kërkesat e saj për komponentë të tillë realistë, të cilët lidhen me vlerësimin e figurës njerëzore.

Pak më parë përmendët autocensurën? Çfarë ishte për ju?


Mua gjithmonë më ka pëlqyer të trajtoj figurën e femrës nudo, nuk ka artist që të mos e pëlqejë. Fatmirësisht, kam pasur modele shumë të mira. Por, autocensura ishte që, pasi i realizoja, i vishja me rroba. (qesh) Madje, tani do filloj t'i zhvesh, të gjitha ato që kam veshur dikur. Siç është ajo vajza me automatik atje (tregon një statujë të vendosur në fund të studios).


Për të më ka frymëzuar një vajzë që i rrinte shumë bukur uniforma e zborit, pjesë-pjesë i ishte ngjitur këmisha pas trupit nga djersa dhe ajo kishte një trup shumë të bukur, të kolmë dhe më frymëzoi për ta bërë atë punë. Herën e parë e kam krijuar me atë modele, ashtu siç ishte, me ato rroba.

Pas '65-ës, sa të vështirë e kishit për të gjetur këto modele?


Ishte shumë e vështirë, por mund të them që kam pasur fat. Ishte korrektesa ime, raportet etike që krijoja me modelin, më bënin të mundur që të isha i lirë me modelin. Ishte një opinion që të mbyste, por kam gjetur modele të mira.


Gjithsesi, puna mbetej midis nesh, sepse unë asnjëherë nuk e ekspozoja punën. Pastaj i vishja këto punë. Një herë situata u kthye në një paradoks. Një shoku im që ishte ngarkuar me një ekspozitë, më tha: "Hektor, figura duket e zhveshur, si ta vendos?" "Vendose në errësirë që të mos duket", - i thashë. Ajo ishte një nga punët e mira që më pas e mori Galeria e Arteve.


Pas atij raftit duket një bocet që i përngjan Azem Hajdarit. Po origjinali ku është vendosur?


Azem Hajdarin e kam derdhur në bronz para dy vjetësh. U aprovua në konkurs, u pëlqye nga njerëzit e tij, nga e shoqja dhe familjarët. Por qëndron akoma në fonderinë e veprave të artit. Nuk e di arsyen pse nuk vendoset, por nuk kam pse ta kërkoj.


Nëse do ta vendosin apo jo, është punë e atyre që e kanë dekretuar. E shoh situatën me dhembje, sepse veprat e mia janë fëmijët e mi. Aq më tepër që Azem Hajdarin e kam pasur mik, dhe nuk më shkonte mendja kurrë kur punoja se një ditë do të realizoj figurën e këtij djali të ri.


Këtu në studio ju keni një Eqrem Çabej të copëzuar. Cila është historia e tij?


Në vitin 2002, një biznesmen nga Podujeva e Kosovës, më trokiti në derë dhe në emër të Brikena Çabejt, më kërkoi që të bëj disa variante të Eqrem Çabejt. Ky që është këtu, është derdhur në bronz, dhe është e vendosur në shkollën e mesme filologjike në Prishtinë. Është mbinatyral, vetëm koka është 40 cm e lartë.

Sa punë keni firmosur gjatë gjithë jetës suaj?


Nuk i kam firmosur punët, rrallëherë mund të kem firmosur. Për mua mjaftonte që nxora dufin, atë që doja ta bëja, e bëra. Doja të bëhesha skulptor, punova me skulpturën. Jam apo s'jam skulptor, është tjetër gjë, do ta vlerësojë koha.

Cilën do të veçonit?


Gjatë krijimtarisë artisti ka disa punë të preferuara. Unë do të veçoja "Kokë plaku", punën time të parë në Çeki, diplomën "Pranvera e jetës", monumentin e përmendores së luftës në Mushqeta, "Në rrugët e luftës".


Nudo nuk kam asnjë. Tani po përpiqem të bëj ndonjë nudo. Asnjë nudo nuk ka marrë trajtën e asaj që mendoj unë, sepse puna më e mirë është ajo që ende nuk kam bërë. Do ta bëj apo jo, ende nuk e di?


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›