E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastra, Korça e Kukësi, KQZ miraton mandatet

Debate në KQZ për mandatin e Spiro Kserës. PS-ja: Ka mbajtur post publik. Ristani: E vendos Kuvendi, jo ne


TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka arritur në fazën finale të zgjedhjeve për në Kuvendin e Shqipërisë.


Pas një odiseje të gjatë debatesh dhe akuzash mes palëve, ai ka mundur dje që, në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 28 qershorit, të miratojë së pari mandatet dhe më pas të nxjerrë emrat e 21 parlamentarëve që do përfaqësojnë qytetarët e qarqeve të Kukësit, Gjirokastrës dhe Korçës në legjislativin e ardhshëm.


Formula


Për përcaktimin e numrit të mandateve, që i takon së pari secilit koalicion dhe më pas secilës forcë politike pjesë përbërëse të tyre, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është referuar Kodit Zgjedhor, ku dhe sanksionohen dy formulat përkatëse, që zbatohen në të dyja këto momente.


Kështu, për ndarjen e mandateve mes koalicioneve dhe subjekteve të tjera politike që kanë garuar të vetme në këto zgjedhje, është zbatuar neni 162 i ligjit zgjedhor, i cili përcakton se KQZ-ja, jo më vonë se 3 ditë nga përfundimi i procesit të ankimit kundër vendimit për miratimin e rezultateve të zonës zgjedhore apo pavlefshmërisë së zgjedhjeve, përllogarit shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që subjektet kanë marrë në nivel zone zgjedhore.


Fillimisht, nga kjo ndarje janë përjashtuar ato forca politike, që nuk kanë mundur të kalojnë kuotën e 3%-shit dhe koalicionet që nuk kanë arritur të marrim 5% të votave. Dhe në bazë të rezultateve që dhanë zgjedhjet e 28 qershorit, ka rezultuar se për të tre qarqet e mësipërm, të drejtën për të hyrë në llogaritë për ndarjen e mandateve e kanë pasur vetëm dy koalicionet e mëdha, të kryesuar nga PD-ja dhe PS-ja.


Pasi ka përcaktuar koalicionet që kanë fituar këtë të drejtë, KQZ-ja ka pjesëtuar numrin e votave të vlefshme në nivel zone zgjedhore të secilit subjekt, në mënyrë të vazhdueshme, me numra natyrorë të njëpasnjëshëm, të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin natyror që i korrespondon numrit të mandateve që shpërndahen në zonën zgjedhore përkatëse.


Mandatet


Nga ky veprim ka rezultuar se, për Qarkun e Kukësit, koalicioni "Aleanca e Ndryshimit" ka mundur të fitojë 3 mandate, ose tre herësit më të mëdhenj të dalë nga pjesëtimi, ndërsa koalicioni "Bashkimi për Ndryshim" ka mundur të marrë vetëm një mandat.


Edhe për Qarkun e Gjirokastrës është ndjekur e njëjta praktikë, ku koalicioni i djathtë ka mundur të sigurojë dy mandate, ndërsa i majti 3 mandate, ndërkohë që për Qarkun e Korçës, të dy koalicionet janë ndarë barazim, me nga 6 mandate secili.


Pasi ka bërë këtë ndarje gjatë seancës së paradites, KQZ-ja është mbledhur sërish pasdite për të bërë ndarjen e mandateve brenda vetë koalicioneve, nga ku ka rezultuar se, në këto tre qarqe, të gjithë deputetët i kanë marrë dy forcat e mëdha, PD-ja dhe PS-ja.


Më pas, KQZ-ja, duke iu referuar listave shumemërore të kandidatëve që këto dy forca kanë depozituar më parë, kanë bërë edhe shpërndarjen e mandateve të zgjedhurve, që e kanë fituar këtë të drejtë. Si rezultat, në Qarkun e Kukësit kanë fituar mandatin e deputetit Flamur Noka, Besnik Dushaj dhe Fatos Hoxha nga PD-ja, dhe Asllan Dogjani nga PS-ja.


Në zonën zgjedhore të Gjirokastrës kanë fituar mandatin e deputetit Genc Ruli dhe Spiro Ksera nga PD-ja dhe Arta Dade, Vangjel Tavo dhe Ethem Ruka nga PS-ja. Në Korçë janë bërë deputetë Ridvan Bode, Gjergji Papa, Ledina Aliolli, Edmond Spaho, Fatbardh Kadilli dhe Ismail Hoxha për PD-në dhe Ben Blushi, Pandeli Majko, Alfred Dalipi, Mimi Kodheli, Arben Ahmetaj dhe Olta Xhaçka për PS-në.


Por, ndarja e mandateve të mësipërm nuk ka kaluar pa debate, pasi përfaqësuesi socialist, Genci Gjonçaj, duke iu referuar rastit të Spiro Kserës, ka theksuar se të gjithë ata kandidatë, që kanë mundur të fitojnë duke mbajtur gjatë garës elektorale dhe poste publike, që bien ndesh me Kushtetutën, duhet të penalizohen dhe të mos u jepet mandati. Por, sipas kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, nuk është detyrë e KQZ-së të bëjë një verifikim të tillë, por e vetë Kuvendit.


Deputetët e parë që kanë marrë mandatin

Kukësi

PD
Flamur Noka
Besnik Dushaj
Fatos Hoxha

PS
Asllan Dogjani

Gjirokastër
PD
Genc Ruli
Spiro Ksera

PS
Arta Dade
Vangjel Tavo
Ethem Ruka

Korça
PD
Ridvan Bode
Gjergji Papa
Ledina Aliolli
Edmond Spaho
Fatbardh Kadilli
Ismail Hoxha

PS
Ben Blushi
Pandeli Majko
Alfred Dalipi
Mimi Kodheli
Arben Ahmetaj
Olta Xhaçka

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›