E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Hekurudha Durrës-Prishtinë dhe porti tregtar në Porto Romano, më 20 qershor mbledhja e qeverive Shqipëri-Kosovë

Më 20 qershor do të mbahet në Prishtinë mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe qeverisë shqiptare. Sipas axhendës së siguruar nga RTSH, delegacioni shqiptar do të mbërrijë në Prishtinë në orën 10:45.

Në orën 11:00 do të mbërrijë në Prishtinë edhe kryeministri Edi Rama i cili do të pritet nga kryeministri Albin Kurti, dhe më pas vijohet me himnet kombëtare dhe nderimet ushtarake nga Forcat e Sigurisë së Kosovës. 

Në orën 11:15 do të hapet sesioni plenar i mbledhjes së dy qeverive Kosovë-Shqipëri, ku sipas axhendës Kryeministri Kurti do të mbajë fjalën për marrëveshjet ndërqeveritare që do nënshkruhen në orën 12:30. Pas Kurtit, fjalën do e marrë Kryeministri Rama dhe pas tij do flasin edhe anëtarë të dy kabineteve për të parashtruar çështjet kryesore dhe marrëveshjet për nënshkrim.

Pas fjalëve të mbajtura, Eric SMIT do të bëjë një prezantim për infrastukturën portuale dhe hekurudhore kombëtare në funksion të tregut të përbashkët kombëtar dhe katër lirive ekonomike: Projekti i Portit të ri tregtar në Porto Romano, integrimi me hekurudhën Durrës – Prishtinë, dhe Porti i thatë në Kosovë. Dhe në orën 13: 45 Kryeministri Albin Kurti do të shtrojë një drekë në nder të kryeministrit Edi Rama dhe delegacioneve të dy qeverive.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›