E Diel, 1 Nëntor 2026

Hekurudha Shqiptare 1,5 miliardë lekë për zgjatjen e linjës hekurudhore në zemër të Tiranës

TIRANË, 11 maj/ATSH/ Hekurudha Shqiptare sh.a hapi tenderin me vlerë 1,5 miliardë lekë për realizimin e projektit të zgjatjes së linjës hekurudhore nga Terminali i Transportit Publik deri në Stacionin Qendror të Trenit në Tiranë.

Kontrata është e tipit “çelësa në dorë” dhe parashikon ndërtimin e një segmenti të ri rreth 4 km, si vijim i linjës ekzistuese Durrës-Tiranë.

Projekti parashikon ndërtimin e dy ndalesave të reja ndërmjetëse, “Tirana 1” dhe “Tirana 2”, të konceptuara për të përmirësuar aksesin urban dhe lidhjen me linjat e transportit publik. Stacionet janë pjesë e modelit të ri të mobilitetit suburban, që synon shpërndarjen më efikase të fluksit të pasagjerëve drejt qendrës së qytetit.

Në fund të segmentit do të ndërtohet edhe Stacioni Qendror i Tiranës (Tirana CCS), i cili do të shërbejë si nyjë lidhëse për trenat suburbanë drejt aeroportit dhe Durrësit.

Një komponent i rëndësishëm i projektit është përfundimi i urës hekurudhore mbi Unazën e Tiranës, me gjatësi 71 metra, e cila garanton kalimin e linjës mbi infrastrukturën rrugore urbane.

Paralelisht, kontrata përfshin rehabilitimin e rrugëve lokale të prekura nga punimet, duke përfshirë asfaltimin, zgjerimin e segmenteve rrugore, ndërtimin e trotuareve, si dhe vendosjen e barrierave mbrojtëse dhe masave për reduktimin e zhurmës në zonat urbane.

Linja e re do të elektrifikohet dhe do të pajiset me sistem modern sinjalizimi dhe telekomunikacioni, i integruar me segmentin ekzistues Durrës-Tiranë.

Projekti parashikon shpejtësi operimi 70-100 km/orë, në varësi të segmentit dhe kufizimeve urbane, duke ndjekur standarde europiane për hekurudhat urbane dhe ndërqytetëse.

Afati i kontratës është 24 muaj nga nënshkrimi, ndërsa afati i fundit për dorëzimin dhe hapjen e ofertave është 15 qershori 2026.

Ky investim konsiderohet pjesë e fazës së dytë të modernizimit të korridorit hekurudhor Durrës-Tiranë, i cili lidhet gjithashtu me projektin në zhvillim drejt aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Projekti hekurudhor Tiranë-Durrës-Rinas është një nga investimet më të rëndësishme të modernizimit të transportit publik në Shqipëri, që synon krijimin e një sistemi hekurudhor suburban të integruar për zonën metropolitane të kryeqytetit.

Ai konsiston në rehabilitimin dhe elektrifikimin e linjës ekzistuese Durrës-Tiranë, si dhe ndërtimin e një dege të re drejt aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Projekti përfshin rreth 40 km linjë kryesore dhe rreth 5-6 km degëzim për në aeroport, duke krijuar një korridor të plotë hekurudhor urban dhe ndërqytetës.

Linja është projektuar për shpejtësi deri në 100 km/orë dhe do të mundësojë kohë udhëtimi shumë të shkurtër, rreth 20-25 minuta nga Tirana në Durrës dhe rreth 10-12 minuta nga Tirana në aeroport, duke e kthyer trenin në një alternativë konkurruese ndaj transportit rrugor.

Në kuadër të projektit parashikohet ndërtimi dhe modernizimi i disa stacioneve të reja përgjatë korridorit, përfshirë ato në Kashar, Vorë, Shkozet dhe të tjerë, stacione të dedikuara urbane në zonën e Tiranës si dhe një terminal të ri në aeroport.

Projekti përfshin gjithashtu elektrifikimin e plotë të linjës, sistemin modern të sinjalistikës dhe telekomunikacionit, si dhe përmirësimin e infrastrukturës mbështetëse.

Investimi synon jo vetëm përmirësimin e transportit publik, por edhe uljen e trafikut rrugor, ndotjes dhe rritjen e lidhjes së kryeqytetit me Durrësin dhe aeroportin “Nënë Tereza”.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›