Helikopterët presin nënshkrimin e kryeministrit

Krijimi i Njësisë së Helikopterëve kërkon infrastrukturë ligjore, rregullore, përvoja të shteteve të ndryshme dhe pëlqime të ndryshme në operim ajëror. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Ismet Ibishi tha se Ministria dhe Policia e Kosovës janë të gatshme me përgatitjet e personelit dhe infrastrukturës ligjore dhe teknike.
Ai tha se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ”Adem Jashari” ka dhënë në dispozicion të kësaj njësie kullën e vrojtimit, radarët, mekanizmin për mbushje me kerozin, zjarrëfikësit, sigurinë fizike e deri te kthimi i objektit, hangarit dhe pistës që është esenciale për funksionimin e kësaj njësie.
“Ne në bashkëpunim me pronarin e aeroportit “Adem Jashari” kemi arrit të rikthejmë hangarin i cili është i destinuar për strehimin e helikopterëve”, tha Ibishi.
I tërë projekti, si në Policinë e Kosovës, po ashtu edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme është përfunduar plotësisht dhe ky projekt tash gjendet në zyrën e kryeministrit vetëm për t’u miratuar, gjegjësisht nënshkruar. Ibishi tha se kur të miratohet ky projekt, atëherë personeli ekzistues i aeronautikës do të ri-licenciohet në një shtet që i plotëson kriteret dhe kushtet për dhënien e licencës.
“Pas miratimit nga kryeministri të strukturës, ne këmi marrëveshje të nënshkruara, sidomos me Turqinë dhe Sllovenin për ri-licencimin e të gjithë ekspertëve të aeronautikës”, tha Ibishi për Radio Kosovën.
Sipas projektit, fillimisht është paraparë që të blihen dy helikopterë të lehtë, dymotorësh, sepse në ligjet e aeronautikës nuk lejohet të fluturohet përmbi qytete me fluturaken me një motor:
“Ne jemi përcaktuar për dy helikopterë të familjes ‘Euokopter’ të lehtë dhe një të mesëm për transport të një force të policisë”.
Sipas Ibihsit, kjo njësi do të kryejë detyra sipas planit operativ të policisë, që nga kontrolli i kufirit e deri tek ndihma në operacionet e kërkimit – shpëtimit në rast të fatkeqësive natyrore. Për blerjen e këtyre helikopterëve, sipas llogaritjeve të para të grupit punues janë paraparë rreth 28 milionë euro./Indeksonline/