E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëm në Komunën e Klinës janë bërë 70 milionë euro dëme

Dëmet materiale që ka shkaktuar regjimi serb në komunën e Klinës, sipas një raporti të publikuar nga Komisioni komunal për evidencimin e dëmeve të luftës në periudhën 1998-1999, arrijnë vlerën e mbi 70 milionë eurove. Si njofton Koha Ditore, Komisioni ka përfshirë në raport dëmet në ndërmarrjet shoqërore, në ekonomitë familjare, në infrastrukturë, arsim dhe shëndetësi.

“Vlera e dëmeve të përgjithshme në ekonominë familjare të komunës së Klinës kap shifrën e 20 milionë e 334 mijë e 475 eurove, në infrastrukturë 6 milionë euro, në ekonomi, kryesisht në ndërmarrjet shoqërore 44 milionë e 281 mijë e 138 euro dhe në objektet shëndetësore 457 mijë euro”, thuhet në raport.

Shefqet Krasniqi, kryetar i këtij komisioni, pohon se këto shifra janë të mbuluara me dokumentacion përkatës, ndërsa konsiderohet që vlera e dëmeve të luftës është shumë më e madhe se kaq, duke vlerësuar pamundësinë e deklarimit të dëmeve nga të gjithë të dëmtuarit për arsye objektive dhe subjektive.

Kjo është hera e parë që në këtë komunë dilet me të dhëna të tilla. Në raport janë përfshirë edhe të dhënat e vrasjeve të qytetarëve klinas, numri i dëshmorëve, familjeve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe i të zhdukurve.

Dëmet në 12 ndërmarrje që kanë operuar në këtë komunë para luftës, vlera e dëmeve është 88 milionë e 562 mijë e 277 marka gjermane. Në shëndetësi janë dëmtuar, djegur e demoluar 13 ambulanca shëndetësore. Forcat serbe nuk kanë kursyer as objektet e arsimit. Gjithsej 29 objekte shkollore janë djegur, demoluar e dëmtuar, ndërsa vlera e dëmeve, llogaritur në euro, është afër 2 milionë. Prej 54 lokaliteteve, sa ka kjo komunë, në 50 sosh ka pasur dëme të shumta, duke përfshirë shtëpi banimi, objekte ndihmëse, traktorë, vetura, kamionë, autobusë, bagëti etj. Në kategorinë e tretë dhe të katërt ka pasur 2 641 shtëpi të dëmtuara, ndërsa në atë të pestën 1 623 shtëpi, ku vlera e dëmit është mbi 40 milionë euro. Në raport ndër të tjera janë paraqitur edhe të dhënat për humbjet në njerëz. Kjo komunë ka dhënë 103 dëshmorë të UÇK-së, 180 viktima civile dhe 277 persona që kanë pësuar lëndime trupore. Edhe sot Klina vazhdon t’i bartë pasojat e dëmeve në aspektin njerëzor, meqë janë edhe afro 100 persona të pagjetur.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›