E Diel, 1 Nëntor 2026

Helmimi i 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, AKU: Mostrat ushqimore janë dërguar në laborator, po testojmë edhe ujin

Autoriteti Kombëtar i Ushqimi vijon hetimin për rastin e dyshuar të helmimit të 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, ku mostrat e marra të produkteve ushqimore të konsumuara janë dërguar për analizë në laboratorin e ISUV.

“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon me hetimin hap pas hapi të rastit të pak ditëve më parë, ku pas komunikimit ndërinstitucional me Akademinë e Sigurisë në Sauk u informuam mbi rastin e dyshuar për helmim të disa kursantëve pranë kësaj akademie.

Në bashkëpunim me institucionet e tjera ligjzbatuese, u morën masa të menjëhershme për verifikimin konkret të rastit. Janë marrë mostra të produkteve, të cilat janë dërguar për analizim pranë laboratorit të ISUV dhe aktualisht jemi në pritje të rezultateve”, thotë AKU.

Përveç ushqimeve, janë marrë dhe mostra të ujit të rrjetit për analiza mikrobiologjike, ndërsa Instituti i Shëndetit Publik po kryen testimin e higjienës së ambienteve ku përgatitet ushqimi.

“Përpos lëndëve të para dhe produkteve gati për tu ngrënë, të dyshuara, u krye dhe kampionimi i ujit të rrjetit, i cili do t’i nënshtrohet analizimit mikrobiologjik. NJVKSH në këtë situatë, është ende duke kryer verifikimet e nevojshme.

Për të plotësuar kuadrin hetimor, ISHP ka marrë mostra për testimin e higjienës së ambienteve të punës, ku përgatitet ushqimi. Rezultatet e të cilave, do të bëhen me dije, në përfundim të procesit”, njofton AKU.

Dy ditë më parë 56 studentë të Akademisë së Sigurisë përfunduan në spital pas dyshimit për helmim ushqimor nga ushqimi i konsumuar në institucion. Të gjithë studentët morën ndihmën mjekësore dhe u larguan në gjendje të mirë shëndetësore.

Për rastin policia ka arrestuar kuzhinierin dhe një teknologe ushqimi të kompanisë së kateringut që furnizonte Akademinë, ndërsa administratorja e saj është shpallur në kërkim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›