E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Helmimi” i nxënësve, jo nga ushqimi

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria e Tiranës tha dje se nuk janë gjetur prova që tregojnë se nxënësit shqiptarë nga Maqedonia u helmuan nga ushqimi. Organi i akuzës filloi hetimet për ngjarjen, menjëherë pas mbërritjes së nxënësve në Spitalin Ushtarak, rreth mesnatës së enjte. Një hetues i Prokurorisë së Tiranës ka marrë në pyetje në spital nxënësit dhe mësuesin që i shoqëronte. Ndërkohë, prokurorët kanë mbërritur menjëherë në restorantin ku kishin darkuar të rinjtë nga Maqedonia. Së bashku me specialistë të Institutit të Shëndetit Publik, prokurorët kanë verifikuar ushqimet, ndërsa kanë marrë mostrat e nevojshme për ekspertim. Duke iu referuar deklarimeve të dhëna nga nxënësit në spital, prokuroria ka verifikuar edhe impiantin e pijes freskuese “Coca-Cola” nga e cila kishin konsumuar të rinjtë para se t’u shfaqeshin problemet shëndetësore. Sipas prokurorisë, kanë qenë dy vajza ato që kanë pasur shqetësime dhe të vjella, mbrëmjen e të enjtes, pasi kishin darkuar në Tiranë. Shqetësimet e tyre duket se kanë ndikuar edhe tek studentët tjerë të cilët janë bërë dyshues, ndërsa drejtori i shkollës, Tahir Hasani, ka lajmëruar urgjencën e Spitalit Ushtarak dhe policinë. “Nga verifikimet në Spitalin Ushtarak si dhe nga shpjegimet që dhanë mjekët, dy vajzat kanë pasur shqetësime që kanë ardhur nga lodhja gjatë udhëtimit. Gjendja e tyre ka ndikuar tek gjimnazistët e tjerë, të cilët në të vërtetë nuk kanë pasur helmim”, thanë burimet nga Prokuroria.
Hetimi i incidentit
Mbledhja e deklarimeve nga gjimnazistët shqiptarë që kishin ardhur në Shqipëri për një udhëtim turistik 5-ditor ka zbardhur edhe itinerarin e tyre. “Të enjten ata kanë qenë në Durrës, ku pohojnë se kishin marrë ushqime në një fast-food. Këto ushqime janë mbajtur në qese plastike në autobus për disa orë dhe janë konsumuar në drekën e të enjtes. Po verifikohet mundësia që problemet të jenë shkaktuar nga ky ushqim i mbajtur në temperaturë të lartë në autobus për disa orë”, thanë burimet nga Prokuroria. Sipas tyre, organi i akuzës në kryeqytet, ende nuk ka vendosur të regjistrojë procedim penal për këtë ngjarje, pasi të dhënat nuk konfirmojnë të ketë pasur helmim. “Shumica e gjimnazistëve që kanë shkuar në Spitalin Ushtarak nuk kanë bërë as lavazh, pasi nuk patën probleme. Ata u sqaruan nga mjekët dhe nuk patën shqetësime”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, janë verifikuar të gjitha mostrat e picave me djathë e kërpudha si dhe pijet freskuese që janë shërbyer në restorantin ku darkuan 17-vjeçarët nga Maqedonia. “Produktet e restorantit në fjalë (pranë stadiumit “Qemal Stafa” në Tiranë) ishin të rregullta për shkak të xhiros së lartë, e cila nuk lejon mbajtjen për një kohë të gjatë të ushqimeve”, thanë hetuesit. Ata konfirmuan se kishin marrë kontakt edhe me furnizuesin e restorantit, i cili konfirmoi se produktet ushqimore kanë qenë të freskëta.
“Helmimi” jo me ushqim
Duke iu referuar deklarimeve të gjimnazistëve maqedonas, prokuroria tha se para se të darkonin ata kishin lëvizur në Tiranë duke konsumuar edhe pije alkoolike dhe lëndë të tjera jo ushqimore. Nga ana tjetër, 17-vjeçarët kishin katër ditë që udhëtonin me autobusë, çka duket se ka ndikuar në gjendjen e tyre shëndetësore. Ende pa regjistruar zyrtarisht një dosje penale për këtë ngjarje, prokuroria tha se të gjitha provat hedhin poshtë mundësinë e helmimit nga ushqimi në Tiranë. Dyshimet e hetuesve janë se gjendja e rënduar e disa prej studentëve ka ardhur nga lodhja, nga konsumimi i ushqimeve të mbajtura në temperaturë si dhe nga ndonjë lëndë tjetër e përdorur nga gjimnazistët të cilëve u janë bërë analiza për konsum të mundshëm hashashi dhe pijesh alkoolike.

ISHP-ja merr 27 mostra ushqimesh tek piceria

TIRANE - Helmimi i 40 gjimnazistëve shqiptarë nga Kërçova e Maqedonisë ka ngritur në këmbë strukturat e Shëndetit Publik në vend. Ekspertë të këtij institucioni kanë marrë kampione nga të gjithë llojet e ushqimit dhe lëndëve bazë ushqimore me të cilat ishin përgatitur picat dhe produktet e tjera që iu servirën adoleshentëve mbrëmjen e së enjtes në Tiranë. Arben Luzati, shefi i departamentit të ushqimit në Institutin e Shëndetit Publik, pohoi dje se inspektorët e këtij institucioni kishte marrë mostra të 27 ushqimeve dhe lëndëve ushqimore të cilat kanë nisur t’i analizojnë. Sipas tij, paraditen e së dielës pritet që të dalin analizat e para mbi përmbajtjen bakteriologjike të tyre, ndërsa paraditen e së mërkurës pritet të dalin përfundimet e analizave mykotike. Ndërkohë, burime të tjera mjekësore pohojnë shkaku i helmimit të adoleshentëve mund të mos jenë ushqimet e konsumuara, por sasi të ndryshme pijesh alkoolike, ndoshta edhe hashash. Po në të njëjtin konkluzion kanë dalë edhe mjekët e spitalit ushtarak pas konsultimit me dokumentacionin në këtë institucion si dhe pas analizave paraprake që iu bënë adoleshentëve të dërguar me urgjencë në spital. Të paktën dy vite më parë u toksikuan, ndërsa pushonin në plazhin e Durrësit një grup studentësh nga Kosova. Edhe atëherë u dyshua se helmimi u kishte ardhur nga ushqimet, por analizat e detajuar nxorën si shkak alkoolin dhe narkotikët. Rreth 40 nxënës të viteve të treta të shkollës së mesme komunale “Mriko Mileski” të Kërçovës u dërguan me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë si dhe në QSUT pas komplikimeve të shëndetit. Adoleshentët që kishin simptoma të helmimit ushqimor u dërguan në spital me të vjella, marrje mendsh dhe temperaturë të lartë. Sipas vetë nxënësve, shkaku i helmimit ishin picat që kishin konsumuar në një lokal pranë stadiumit “Qemal Stafa”. Ndërkohë, mësuesit që i shoqëronin pohuan se darka që nisi në orën 18:30 të së enjtes ishte e fundit për ta në Shqipëri, pas së cilës do të ktheheshin në vendlindje. Duke shpjeguar rreth ngjarjes kreu i shkollës pohoi se komplikimet e para i pati një vajzë rreth orës 19:30, ndërsa pas saj edhe disa të tjerë, derisa numri i atyre që patën komplikime arriti brenda pak minutash në rreth 40, të cilët u përcollën në spital me makinat e policisë së kryeqytetit.             fa.ma.

Tahir Hasani: Fëmijët u kthyen në Kërçovë pa probleme shëndetësore

Tahir Hasani, drejtori i shkollës së mesme komunale “Mirko Mileski”, në Kërçovë, i kontaktuar me telefon pohoi dje se rreth orës 02:00 të së premtes grupi gjimnazistëve së bashku me mësuesit dhe mjeken e shkollës ishin nisur nga Tirana për t’u rikthyer në vendlindje. “Në orën 07:00 të mëngjesit ndodheshim në Kërçovë, ku na pritën prindërit e nxënësve, pasi kishin mësuar lajmin nëpërmjet mediave”, pohoi ai. Sipas tij pas ndihmës mjekësore që iu dha adoleshentëve në Spitalin Ushtarak dhe në urgjencën e QSUT-së, gjendja e tyre u përmirësua ndërsa, pas mesnatë kishin kaluar komplikimet në shëndet si pasojë e lavazhit në stomak serumeve që morën. Drejtori Hasani gjatë kontaktit telefonik përsëriti disa herë falënderimet për policinë e kryeqytetit që i ndihmoi me mjetet e veta për t’i dërguar nxënësit në spital, po kështu edhe stafin mjekësor të spitalit ushtarak ku u kuruan fëmijët me probleme shëndetësore. Sipas drejtorit Hasani gjatë rrugës asnjë prej fëmijëve nuk paraqiti komplikime, ndërsa mjekja e shkollës Besa Silbehari, që i shoqëronte ata i mbajti fëmijët në vëzhgim të vazhdueshëm. “Mëngjesin e sotëm, nxënësit ua dorëzuam familjarëve të tyre, të cilët të alarmuar ndodheshin te shkolla”, pohoi drejtori Hasani, sipas të cilit disa fëmijë iu nënshtruan vizitave mjekësore në Kërçovë, por asnjë prej tyre nuk doli me probleme shëndetësore.          f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›