Helmohen gjashtë fëmijë në një kopsht në Korçë, procedohen mjekja dhe drejtoresha

TIRANË, 3 tetor/ATSH/ Gjashtë fëmijë të një kopshti publik në qytetin e Korçës dyshohet se janë helmuar nga ushqimi që kanë konsumuar në kopsht.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë proceduan penalisht sot në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, mjeken dhe drejtoreshën e kopshtit ku qëndronin fëmijët, që u paraqitën në spital me helmim ushqimi.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë bën të ditur se “u proceduan penalisht E. X., 57 vjeçe, me detyrë mjeke pranë Spitalit Rajonal Korçë, në pavijonin e Pediatrisë dhe M. K., 60 vjeçe, me detyrë drejtoreshë e kopshtit”.
Sipas Policisë, procedimi penal filloi pasi gjatë pasdites së djeshme dhe ditës së sotme, janë paraqitur në spital gjashtë fëmijë nga i njëjti kopsht, me simptoma të njëjta gastrointestinale.
Policia sqaron se mjekja nuk ka njoftuar Policinë, ndërsa drejtoresha e kopshtit dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimin funksional lidhur me kontrollin dhe verifikimin e ushqimit të konsumuar nga fëmijët.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale.
/k.s/r.e/