Helmohen rreth 40 banorë në fshatin Gjoricë të Bulqizës, shkak dyshohet uji i ndotur

Rreth 40 banorë të njësisë administrative Gjoricë në bashkinë e Bulqizës janë paraqitur në qendrën shëndetësore me simptoma helmimi. Shkaku kryesor i helmimit dyshohet të jetë bërë uji i pijshëm që furnizohet zona, ndërsa mësohet se sipas analizave paraprake laboratorike, uji ka dalë i kontaminuar.
Për këtë arsye, Ujësjellësi ka marrë masa për ndërprerjen e furnizimit me ujë në zonë. Banorët janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Gjorcës për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa simptomat janë diarre e vjellje.
Mjekët e qendrës shëndetësore, tregojnë se ditën e sotme janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore rreth 8 persona, ndërsa sipas tyre që prej ndërprerjes së ujit numri i të helmuarve është në ulje.
Banorë e zonës e kanë ngritur vazhdimisht si shqetësim se punimet për ujësjellësin nuk janë cilësore, ndërsa një pjesë e depozitave janë lehtësisht të aksesueshme nga personat e jashtëm dhe janë të ekspozuara ndaj ndotjes.
Banorët e 6 fshatrave në njësinë administrative Gjoricë, kishin vuajtur prej vitesh mungesën e ujit të pijshëm. Në vitin 2015-të, Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Bashkinë Bulqizë investuan afro 83 milionë lekë të reja në fazën e parë të ndërtimit të këtij ujësjellësi, kompania ndërtuese ishte EGLAND sh.p.k me administrator Rasim Dacin. Në fund të vitit 2020 do të përfundonte edhe tenderimi për fazën e dytë të këtij ujësjellësi, që kishte të bënte me rrjetin shpërndarës dhe depos kryesore me një vlerë prej afro 191 milionë lekë të reja, fituar nga po e njëjta kompani. Në total, vlera e investimit për ujësjellësin e Gjoricës do të kapte një vlerë prej afro 274 milionë lekë të reja, ose afro 2.4 milionë euro.
/RTSH/