E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hëna Gega, gruaja që qëndis traditën me gjilpërë, rrëfen pasionin e veçantë për punimet me cimbë

Në një shtëpizë tradicionale në lagjen e vjetër Dunavat në zemër të Gjirokastrës, qëndistarja, Hëna Gega mishëron frymën e një qyteti me histori, tradita dhe elegancë të rrallë.

“Cimbën e kam mësuar që në moshën 6-vjeçare. Është një punë e veçantë, duhet ta duash  që ta bësh”, shprehet ajo.

E lindur dhe rritur në këtë lagje mes gurëve, rrugicave dhe kujtimeve, ajo përfaqëson gruan tipike qytetare, të përkushtuar ndaj shtëpisë, por me një pasion të veçantë për artin e punimeve me cimbë, një teknikë delikate që ka zbukuruar prej shekujsh veshje, perde, mbulesa dhe çarçafë në shtëpitë gjirokastrite.

Cimba, punuar me gjilpërë të hollë, kërkon orë të tëra përkushtimi dhe mjeshtëri të lartë. Kjo e ka bërë ndër vite simbol të finesës, por edhe një produkt të kushtueshëm që dikur përballohej vetëm nga disa.

“Duke e pasur shumë qejf punën e dorës, më ka pëlqyer që edhe mobilimin e shtëpisë ta ndërthur me punë dorë”, tregon ajo.

 Sot, Hëna thotë me keqardhje se në qytet nuk kanë mbetur më shumë se 10 gra që e njohin dhe dinë ta punojnë këtë teknikë.

Shtëpia e saj është një ekspozitë e vërtetë e punimeve të dorës, dhe trashëgimia më e çmuar që do t’i lërë së bijës është një kostum tradicional i punuar nga vetë ajo, në çdo detaj.

“Kostumin që kam bërë për vajzën time e kam bërë pa ndihmën e askujt. Dua të lë në trashëgimi që vajza ta trashëgojë në breza”, tha qëndistarja.

Megjithëse e pranon se është e vështirë të nxjerrësh të ardhura duke ndjekur pasionin, Hëna nuk dorëzohet. Ajo shpreson se interesimi në rritje i turistëve për kulturën dhe artizanatin do të japë frytet e veta dhe do t’u japë kuptim dekadave të punës me gjilpërë ndër breza.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›