E Diel, 1 Nëntor 2026

Hëngri vetëm pica për 5 ditë rresht, Benny Blanco befason: Humba 2 kg

Benny Blanco ka vendosur të bëjë një eksperiment të pazakontë për të provuar se mund të humbasësh peshë edhe duke ngrënë vetëm ushqimin e preferuar. Producenti muzikor hëngri vetëm pica për pesë ditë rresht dhe në fund rezultati në peshore ishte befasues.

38-vjeçari dokumentoi të gjithë eksperimentin në TikTok, duke treguar se çdo ditë konsumonte vetëm një picë të madhe me brumë të hollë nga Domino’s.

Në fillim të eksperimentit, Blanco u ngjit në peshore dhe tregoi se peshonte reth 69 kilogramë. Gjatë ditëve në vijim, ai publikoi pamje nga rutina e tij, duke treguar se nuk po konsumonte ushqime të tjera.

Madje, pica e shoqëroi edhe në një mbrëmje romantike me bashkëshorten e tij, Selena Gomez. Blanco e mori picën me vete në darkën e tyre në një prej ambienteve luksoze të Los Angelesit, ndërsa Gomez shijonte ushqimin e restorantit.

Në një moment të videos, këngëtarja shihet duke puthur Blanco-n në qafë, duke i dhënë eksperimentit edhe një moment romantik.

Por pas disa ditësh, producenti nisi të lodhej nga dieta e pazakontë. Në ditën e tretë, ai pranoi me humor se ishte ngopur plotësisht me pica.

“E urrej jetën time,” shprehet ai në video.

Në ditën e pestë, Blanco duket edhe më i lodhur nga eksperimenti dhe pyet veten se si ishte jeta para se pica të bëhej ushqimi i tij i vetëm.

Megjithatë, në fund ai deklaron se ndihet “shumë mirë” dhe vendos të kontrollojë sërish peshën.

Rezultati? Peshorja tregoi rreth 67 kilogramë. Pra, Blanco kishte humbur rreth 2.1 kilogramë, gjatë pesë ditëve.

“Thjesht humba 2.1 kilogramë duke ngrënë pica. Asgjë nuk ka rëndësi, bëni çfarë të doni”, tha ai me shaka, përpara se të promovonte librin e tij të ardhshëm, F–ck Failure, i cili pritet të publikohet më 15 shtator.

Libri fokusohet te mënyra se si dështimet mund të shndërrohen në hapa drejt suksesit. Blanco ka treguar se vetë ka përjetuar vazhdimisht dështime dhe se ka mësuar t’i përdorë ato në favor të tij.

Pasioni i tij për ushqimin nuk është diçka e re. Blanco publikoi në vitin 2024 librin e gatimit Open Wide: A Cookbook for Friends, duke treguar një tjetër anë të tij jashtë muzikës.

Ndërkohë, ai ka folur edhe më herët për zakonet ushqimore të Selena Gomez. Në një bisedë me Gwyneth Paltrow për podcastin “Goop”, Blanco zbuloi me humor se bashkëshortja e tij preferon ushqime si burgerët dhe patatet e skuqura dhe nuk është veçanërisht e apasionuar pas frutave dhe perimeve.

Eksperimenti me picën, megjithatë, nuk duhet parë si një mënyrë të rekomanduar për të humbur peshë, pasi ndryshimet e shpejta në peshë gjatë disa ditëve mund të lidhen edhe me lëngjet e trupit dhe jo vetëm me humbjen e yndyrës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›