E Diel, 1 Nëntor 2026

Heqja e TVSH, Konfindustria: Jemi në krizë, të ulet vlera e investimeve

Të tjera rreth shkrimit Kryeministri hoqi taksën e makinerive Berisha paraprin Nishanin për TVSH e makinave TIRANE - Konfindustria i kërkon qeverisë që të ulë deri në 15 milionë lekë vlerën e investimit për makineritë dhe pajisjet, në lidhje me vendimin e fundit të ekzekutivit që përjashton nga pagesa e TVSH makineritë për investime që janë mbi 50 milionë lekë.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, e vlerëson si një hap pozitiv përpara që i shtohet vendimit të njëjtë për përjashtimin nga pagesa e TVSh për makineritë, pajisjet, lëndë të para, etj, që përdoren për ndërtimin e HEC-ve.

Ndërkaq, kërkesën drejtuar qeverisë, Buxhuku e arsyeton me faktin që sipas tij ekonomia shqiptare po vuan pasojat e krizës. Më tej Konfindustria sqaron se “është domosdoshmëri thithja e investimeve sidomos të huaja si mjet i rëndësishëm për përballimin e gjendjes së vështirë. Ulja e rendimentit fiskal për 10 mujorin e parë të vitit 2012 me mbi 160 milion $ me pak të ardhura për buxhetin e shtetit flet qartë për gjendjen e vështirë të ekonomisë shqiptare.”

“Konfindustria vlerëson, se në kushtet e mësipërme ulja e pragut të heqjes së TVSH për makineritë dhe pajisjet do të ishte një mjet tjetër nxitës për investimet e vendit dhe të huaja. Ndërkohë mbajtja e një pragu të caktuar të përjashtimit nga TVSH është e rëndësishme edhe për një afat kohe të caktuar për të bërë të mundur njëkohësisht nxitjen e investimeve të reja në vlera të pranueshme, shmangien e evazionit fiskal të mundshëm dhe sigurimin e të ardhurave për buxhetin e shtetit”, bëhet e ditur në komunikatën për shtyp.

Buxhuku thekson se “shifra e propozuar nga Konfindustria për një prag prej 15 milion leke investimi është e tillë, që siguron njëkohësisht të 3 qëllimet e sipërpërmendura.”

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›