E Martë, 3 Nëntor 2026

Heqja e dinarit në Kosovë, Vuçiq: Qëllimi, spastrimi etnik i serbëve. Do kërkoj seancë urgjente në Këshillin e Sigurimit

Presidenti Serb Aleksandar Vuçiq (Vucic) ka mbajtur një konferencë për shtyp, ku ka folur lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për kufizimin e importit të valutave të huaja, përfshirë dinarin serb.

Vuçiqi akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se ka si qëllim “spastrimin etnik të serbëve që jetojnë në Kosovë”. Ai tha se ka folur me partnerët ndërkombëtarë për këtë dhe shpreson në mbështetjen e tyre.

Sipas presidentit serb, në Kosovë janë 29.115 pensionistë serbë e po ashtu edhe studentë e persona të punësuar, që paguhen nga Serbia.

“Është e drejtë e Republikës së Serbisë të financojë popullsinë serbe në Kosovë. Këtë vendim Kurti e ka marrë vetë me një qëllim, spastrimin etnik të serbëve nga e gjithë Kosova. Siç thuhet në konventën për gjenocid, nënshtrimi i qëllimshëm i serbëve ndaj akteve të padurueshme për jetën. Kurti thërret çdo ditë, dhe pret mbështetjen e fuqive të mëdha. Besoj se partnerët perëndimorë do ta mbajnë fjalën dhe do të përpiqen të luftojnë për të drejtat elementare të serbëve në Kosovë. Kam pasur një takim me ta dhe nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i besojmë. Në Kosovë janë të punësuar 31.831 persona dhe se atje kemi 29.115 pensionistë. 350 milionë dinarë shpenzohen çdo muaj vetëm për përfitime sociale. Ka edhe studentë dhe bursa. Ne do t’i marrim të gjitha masat që serbët në Kosovë ata të marrin të ardhurat e tyre,” u shpreh Vuçiq.

Ai thekson se Serbia ka kërkuar një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kërkesa do të dorëzohet të hënën me shkrim.

“Në komunikimet tona i kemi njoftuar për shqetësimin tonë për situatën në Kosovë. Unë do ta nënshkruaj atë letër si President i Republikës. Është letra më e gjatë dhe më e vështirë që kam nënshkruar që kur jam në Kreu i Serbisë. Në atë letër vë në dukje çdo akt të shkeljes së normave juridike ndërkombëtare, një pjesë të lëvizjeve të përshkallëzuara që Prishtina ka ndërmarrë në dy vjet e gjysmë,” tha ai.

Vendimi që hyri në fuqi me 1 shkurt nënkupton heqjen nga përdorimi të dinarit të Serbisë, që ende përdoret në zonat e banuara me shumicë serbe posaçërisht në veriun e Kosovës.

Ky vendim nuk ka marrë mbështetjen e ndërkombëtarëve. SHBA dhe BE kanë kërkuar një periudhë tranzitore më të gjatë për zbatimin e tij.  Kryeministri Albin Kurti është përgjigjur se “kushtetutshmëria, ligjshmëria dhe vendimmarrja e institucioneve të pavarura nuk mund të negociohen nga politikanët”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›