Heqja e imunitetit, Trojka e ambasadorëve takim me Ramën

Trojka e ambasadorëve të akredituar në Tiranë, ai i SHBA-së Aleksandër Arvizu, i BE-së Ettore Sequi dhe i OSBE-së Eugen Wollfarth do të takohen sot me kreun e opozitës Edi Rama.
Takimi mes trojkës dhe kryesocialistit Rama do të zhvillohet në orën 10:00 në selinë rozë ndërsa në fokus të takimit pritet të jetë heqja e imunitetit.
Heqja e imunitetit ka qënë jo pak herë kërkesë e ndërkombëtarëve, për ti hapur rrugë përmbushjes së 12 rekomandimeve të Bashkimit Europian nga ana e klasës politike shqiptare.
Kryeministri Berisha i ka bërë shpeshherë thirrje opozitës ta miratojë nismën e mazhorancës për heqjen e imunitetit ndërsa kryesocialisti Rama ka deklaruar se është pro heqjes së imunitetit por kundër ndryshimeve të nxituara në Kushtetutë. Rama theksoi se PS-ja nuk do të përsërisë të njëjtin gabim si katër vite më parë ku votoi për ndryshimet kushtetuese.
Më datën 20 korrik, Kuvendi merr në shqyrtim nismën e depozitur nga mazhoranca parlamentare për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë , ndërsa më datën 6 gusht pritet votimi i këtyre ndryshimeve në serancë plenare.