E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heqja e takses Qeveria Premtim elektoral bosh

Pas një takimi me bizneset e vogla në kryeqytet, zëvendësministri i Financave, Nezir Haldeda e quajti propozimin e opozitës për të zeruar taksën për biznesin e vogël premtim elektoral bosh, tek i cili nuk beson as vetë biznesi.

"Askush nuk e beson këtë që mund të bëhet tatim mbi biznesin e vogël zero, sepse taksat jo vetëm janë thjeshtuar, janë reduktuar. Ne kujtojmë vitin 2007, kur kjo taksë u përgjysmua dhe ishte e njëjta opozitë që ishte kundra, tani na del që duhet hequr", tha Haldeda.

Sipas zëvendësministrit të Financave ajo që rëndon bizneset e vogla nuk është kjo taksë, por vonesat në procedurat administrative për të qenë në përputhje me rregullat tatimore.

"Biznesit t'i shërbehet më shpejt e t'i shërbehet më mirë. Bizneset e vogla janë shumë më elastike, sepse hapin një biznes mbas disa muajsh, e mbyllin atë, krijojnë një aktivitet tjetër dhe kuptohet ka një minimum kërkesash që duhet të plotësohen. Ne po shkojmë drejt thjeshtimit të kërkesave, për të patur aksesin elektronikisht", tha Haldeda.
 
I pyetur nga Top Channel lidhur me dëmshperblimin e ish të përndjekurve politikë të cilët prej 22 ditësh janë ngujuar në një grevë urie, zëvendësministri i Financave u përgjigj: "Nuk duam që të spekulojmë me këtë, absolutisht ajo do të trajtohet sipas ligjeve që janë në fuqi, askush nuk mund të dalë mbi ligjin".

  

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›