E Diel, 1 Nëntor 2026

Heqja e vizave, objektivi i parë i mandatit të dytë të qeverisë “Berisha”

Kryeministri Sali Berisha u ka premtuar dje të rinjve vlonjatë se ka shpallur prioritet të mandatit të tij të dytë qeverisës, heqjen e vizave brenda vitit të parë. Reformat po afrojnë edhe investimet e rëndësishme dhe gjatë mandatit të dytë pritet realizimi i projekteve të rëndësishme, si ai i Portit të Vlorës, apo edhe ai i akseve kombëtare që garantojnë një hapësirë mbarëshqiptare

TIRANE - Në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, kryeministri Sali Berisha u ndal dje në Vlorë, në një takim të jashtëzakonshëm me të rinjtë të reja, nxënës dhe studentë të këtij qyteti. Kryeministri tha se Vlora po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një metropol, në epiqendrën turistike të vendit. Shkollimi dhe punësimi i të rinjve kryesojnë axhendën e qeverisë Berisha sikundër edhe gjatë katër viteve të ardhshme. Duke shprehur kënaqësinë që ndodhej mes të rinjve tyre, kreu i qeverisë Berisha deklaroi se ky takim zhvillohej pas dy ngjarjeve shumë të rëndësishme për Vlorën dhe mbarë Shqipërinë, siç është anëtarësimi me të drejta të plota në NATO dhe paraqitja e kërkesës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Vlora dhe Shqipëria kishin shekuj që prisnin këto dy data. Këto dy data sot janë realitet”, u shpreh kryeministri Berisha.
Duke theksuar se Vlora çdo ditë e më shumë bëhet metropol evropian i Shqipërisë, kreu i qeverisë tha se Vlora është tashmë në rrugën e pakthyeshme drejt zhvillimit dhe modernizimit, për një jetë më të mirë për qytetarët e saj.
“Vlora është sot epiqendër turistike kryesore e vendit, Vlora ka sot një nga qendrat universitare më të fuqishme të vendit”, u shpreh kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit garantoi se shumë shpejt qyteti jugor i vendit, Vlora, do të ketë portin më të madh të Mesdheut dhe njëherazi do të ketë edhe aeroportin e tij.
“Vlora së shpejti do të nisë punimet për njërin prej porteve më të mëdha të Mesdheut, port i cili punëson jo më pak se 50 mijë qytetarë të Vlorës dhe të mbarë Shqipërisë. Në këto vite, janë firmosur me dhjetëra kontrata, të cilat punësojnë dhjetëra e mijëra punëtorë, specialistë, ekspertë. Ndaj dhe ne do të punojmë me përkushtim, do të bëjmë çdo gjë për punësimin tuaj, derisa dhe një i ri i vetëm të ketë nevojë për punë në Shqipëri. Ky qytet do të ketë aeroportin e tij, ndaj dhe ju do të ndiheni gjithnjë e më shumë si të rinj e të reja, qytetarë të metropolit të vërtetë evropian”, u shpreh Berisha.
Kryeministri iu referua dhe parkut industrial, duke shtuar se me ndërtimin e tij, Vlora siguron burimin e vet energjetik. Më tej, Berisha shtoi se qeveria që ai drejton do të bëjë gjithçka për Vlorën dhe mbarë Shqipërinë. Kryeministri tha se Shqipëria është tashmë një kantier ndërtimi. “Qeveria mbetet e angazhuar të ngrejë infrastrukturës rrugore nga më modernet në rajon”, tha Berisha.
Në këtë kuadër kreu i qeverisë theksoi përfundimin e shpejtë të punimeve në autostradën Durrës-Kukës-Morinë, duke nënvizuar se hapja e tunelit të Kalimashit, bashkon shqiptarët dhe sjell Prishtinën në Tiranë. “Ne kishim ëndërr që kombi ynë të qëndronte një. Hapja e tunelit të Kalimashit është tuneli që bashkon shqiptarët, është tuneli që sjell Prishtinën në Vlorë, në Tiranë, në Durrës, që sjell Kosovën në brigjet tona”, tha Berisha.
Kryeministri u garantoi të rinjve shkollim të mesëm dhe të lartë për të gjithë ata që duan të studiojnë dhe njëherazi premtoi internet dhe kompjuter për çdo të ri. “Internet dhe kompjuter për çdo të ri shqiptar, është premtimi im për ju. Unë e di se për ju, pas familjes, shkollës, ndjesia evropiane është ndjesia kryesore, tha kryeministri, duke vlerësuar se, në katër vite ne trefishuam numrin e studentëve nga 52 mijë në 150 mijë”.
“Në katër vitet që vijnë, ky numër do të arrijë në 160 mijë studentë. Diplomat tuja janë vektorë të zhvillimit të Shqipërisë. Ne do të bëjmë çdo gjë që ju të shkolloheni në kushtet më të mira. Sa më të ditur të jeni ju, aq më e bukur do të jetë Vlora, aq më e bukur do të jetë Shqipëria. Sot, ne kemi dyfishuar buxhetin për arsimin dhe unë ju garantoj se do ta trefishojmë atë, në katër vitet që vijnë”, shtoi kryeministri, duke ua dedikuar të rinjve, mandatin e ardhshëm të qeverisë që drejton.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›