E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heroinë te shkolla Lidhja e Prizrenit

Tiranë, 9 Mars NOA Zbulohet drogë e fortë dhe e rrezikshme pranë një shkolle në Tiranë, arrestohet një djalë i ri i dyshuar si shpërndarës i lëndës narkotike, kurse kryhen kërkime për origjinën e saj.

Specialistët e seksionit Kundër Lëndëve Narkotike thanë sot për agjencinë NOA se realizuan arrestimin në flagrancë të shtetasit Nertil Bedri Murrja, 19 vjeç, banues në Tiranë.

Kapja dhe më pas arrestimi i tij u bë dje rreth orës 15.30, në rrugën e Barrikadave, pranë shkollës Lidhja e Prizrenit, pasi nga një kontroll i imtësishëm të ushtruar iu gjetën dhe bllokuan në cilësinë e provës materiale afro 20 porcione, lëndë pluhur me ngjyrë bezhe e llojit Heroinë, e cila pas peshimit rezultoi të jetë 7.3 gramë.

Policia tha se materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Lëndët narkotike kanë gjetur përhapje të gjerë në shkollat e Tiranës, jo vetëm ato të mesme por edhe nëntëvjeçare. Specialistët antidrogë lëshojnë alarmin për faktin se rasti i fundit nuk zbuloi si rëndom më parë, hashash apo stimulantë me fuqi të përkohshme, por heroinë, e cila dihet se është një drogë e fortë që përdoret nga persona të mësuar me lëndët narkotike.

Heroina krijon varësi dhe shpesh shkakton vdekjen, sidomos te moshat e reja.

e.r/NOA

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›