E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heronjtë e Atifetes

Atifete Jahjaga brenda një jave ka nderuar mbretin kontrovers,Ahmet Zogun dhe Hasan Prishtinën. Për të dy ish-udhëheqësit e shtetit shqiptar, Jahjaga ka folur fjalë të mira, por s’e ka thënë asnjë fjalë për fundin e tyre. Zogu kishte përfunduar karrierën mbretërore duke lëshuar Shqipërinë më 1939, derisa akuzohet se gjashtë vjet para ikjes kishte vrarë Prishtinën.

Presidentja Atifete Jahjaga për një javë ka nderuar dy personalitete historike të ndërtimit të shtetit shqiptar, Mbretin kontrovers, Leka Zogu I dhe atdhetarin Hasan Prishtina.

Të parin e ka nderuar Ahmet Zogun, eshtrat e të cilit janë kthyer të dielën e kaluar në Shqipëri.

Për Mbretin, Presidentja ka thënë se simbolizon drejtësinë hyjnore, paqen politike dhe pajtimin kombëtar.

Ndërsa, të premten, Jahjaga e ka nderuar Hasan Prishtinën, duke marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të shtatores së tij në qendër të Tiranës.

Jahjaga ka vendosur lule mbi varrin e Hasan Prishtinës, i cili gjendet në mes të qytetit të Kukësit.

Pjesëmarrja e Shefes së Shtetit të Kosovës në ceremoninë e rivarrimit të Ahmet Zogut u kritikua nga një pjesë e historianëve dhe politikanëve, për faktin se Mbreti i shqiptarëve akuzohet se ka vrarë pikërisht Hasan Prishtinën e Bajram Currin.

Para se të merrte pjesë në ceremoninë e organizuar për Zogun, deputeti Partisë Socialiste, Taulant Balla i kishte sugjeruar Jahjagës që të kërkonte së pari leje nga Hasan Prishtina e Bajram Curri, e pastaj të nderonte eshtrat e mbretit.

Hasan Prishtina është vrarë në Selanik në vitin 1933, në kohën kur Zogu I ka qenë në vitin e pestë si Mbret i Shqiptarëve.

Tash, Presidentja Jahjaga ka premtuar se eshtrat e Prishtinës do të rikthehen në “atdheun” e tij, në kryeqytetin e Kosovës.

Jahjaga ka folur për aktivitetet e Hasan Prishtinës për bashkimin e trojeve shqiptare, por nuk e ka thënë asnjë fjalë për mënyrën se si është vrarë ai.

“Sot në Njëqindvjetorin e shpalljes së Pavarësisë, kam nderin dhe krenarinë që si Presidente e Republikës, këtu në Tiranë ta përuroj shtatoren e Hasan Prishtinës - atdhetarit, ideologut dhe organizatorit të kryengritjeve për lirinë dhe pavarësinë e vendit”, ka thënë Presidentja.

“Këtij politikani, diplomati dhe burrështetasi, Ministri dhe Kryeministri të Shqipërisë”, ka shtuar ajo.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit të shtatores së Prishtinës, ka marrë pjesë edhe Sali Berisha.

Sikurse Jahjaga, edhe Kryeministri i Shqipërisë e kishte lartësuar edhe Ahmet Zogun, ndërsa fjalë përafërsisht të njëjta ka thënë të premten edhe për Hasan Prishtinën.

Me Presidentin e Shqipërisë, Jahjaga ka ngrënë edhe një “drekë pune”.

Ndryshe, Ahmet Zogu akuzohet edhe për lidhje të tij me shtetin serb, i cili e kishte ndihmuar të vinte në pushtet në vitin 1924 dhe të rrëzonte Qeverinë e Fan Nolit.

Veç kësaj, Zogu akuzohet se ka ikur nga Shqipëria në vitin 1939 për në Greqi, ku kishte marrë edhe një pjesë të pasurisë së shtetit.

Megjithëkëtë, Presidentja në fjalimin e mbajtur për nder të kthimit të eshtrave të Zogut në Shqipëri, ka folur sikur ai të kishte lidhje me qiellin.

“Kthimi i eshtrave të Ministrit, Kryeministrit, Presidentit e të Naltmadhnisë së Tij, Mbretit të Shqiptarëve, Zogu i Parë simbolizon Drejtësinë hyjnore, Paqen politike e Pajtimin kombëtar”, ka thënë Jahjaga.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›