30 artistë në Tiranë

Organizatorja e këtij aktiviteti, Jona Dividi, shprehet se ky vit sjell risi nga artistët shqiptarë të cilët prezantojnë artin tonë në vende të ndryshme.
“Është me rëndësi të madhe që ky vit përkon me 100-vjetorin e pavarësisë dhe pikërisht kjo ishte arsyeja që rreth 30 artistë shqiptarë krijojnë por edhe bashkëpunojnë, apo bashkëjetojnë në ditët e aktivitetit, duke krijuar veprat të cilat me pas ekspozohen si në një telajo apo tavalos plot ngjyrësh artistik të përbashkët”, tha Dividi.
Çdo simbol e traditë do të pasqyrohen në veprat artistike duke dhuruar një ylber të bukur shumë ngjyrësh për mbarë opinionin publik.
“Ky është një aktivitet i përvitshëm, por për këtë rast, lidhur me festimet e njëqindvjetorit ka pasur mjaft kërkesa nga piktorët, por numri i pranimeve ishte i limituar. Është interesant fakti që artistët nuk sjellin vepra me vete, por gjatë këtyre pesë ditëve punojnë, bashkëjetojnë me njëri-tjetrin si një familje e madhe dhe në fund shfaqin punimet në ekspozitën përmbyllëse. Sigurisht që punimet këtë vit janë të lidhura me temën e Pavarësisë”, tregon drejtorja ekzekutive e ‘Tirana Art Colony’, Jona Dividi, një piktore e cila gjithashtu është pjesëmarrëse në këtë eveniment me veprën e saj, përveç obligimeve organizative të aktivitetit.
‘Tirana Art Colony’ tashmë është kthyer në traditë duke u bërë një nga aktivitetet më të rëndësishëm të artit figurativ në Tiranë, një aktivitet i cili çdo vit sjell të reja dhe prezanton artistët më në zë të momentit.
Janë të gjithë pjesëmarrës ose organizatorë në koloni të ndryshme të artit, në viset shqipfolëse apo edhe në Europë e më gjerë, por duket se motivi që i ka mbledhur të tridhjetë këtu është më i ngrohtë dhe mikpritës se gjithçka tjetër.
Organizatorja shprehet se ky vit i ka bërë më të gatshëm dhe më entuziastë se kurrë artistët. Në këtë njëqindvjetor të Pavarësisë së shtetit shqiptar ata do të flasin me gjuhën e tyre dhe do të sjellin një kontribut për shtetin shqiptar me anë të artit dhe veprave të tyre.