Hetim tregut të bulmeti – Dyshohet për pozitë dominuese në treg

Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij të fund vitit 2023, mori në analizë tregun e prodhimit dhe tregtimit të bulmetit nga një numër shoqërish vendase në këtë sektor. Kompanitë Erzeni, Gjirofarma, Lufra, SHAKA Boboshticë, që ushtrojnë veprimtari biznesi në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit, djathë dhe gjalpë, do të hetohen për një periudhë 365 ditore për të parë nëse kanë abuzuar.
Autoriteti i konkurrencës dhe komisionet ligjore të tij kanë realizuar një analizë të tregut të prodhimit dhe shitjes me shumicë të nënprodukteve të qumështit, nga e cila ka rezultuar se sjellja e ndërmarrjeve të mësipërme, me pjesë të konsiderueshme tregu, mund të përbëjë abuzim me pozitë dominuese, sipas ligjit të konkurrencës.
Kjo analizë e detajuar e tregut e ka detyruar Autoritetin e Konkurrencës që me vendimin e komisionit të konkurrencës të vendosë hapjen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjeve Erzeni, Gjirofarma, Lufra, SHAKA, që ushtrojnë veprimtari në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit.
Sipas njoftimit zyrtar të autoritetit, ky hetimi i thelluar do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2022 – 31 dhjetor 2023. Nëse nga hetimi i thelluar rezulton se kompanitë kanë shkelur ligjin e konkurrencës dhe kanë siguruar pozitë dominuese në treg nëpërmjet veprimit të bashkërenduar midis tyre, do të penalizohen me gjobë që shkon deri në 2 për qind të xhiros së tyre vjetore për vitin hetimor.
Autoriteti i Konkurrencës ka një përvojë të njohur në hetime të tilla të thelluara si në tregun e karburanteve, të telefonisë celulare, të grurit e miellit etj.
/RTSH/