E Martë, 3 Nëntor 2026

Hetimet ndaj Berishës, deputeti gjerman: Imuniteti s’është privilegj. SPAK nuk duhet sulmuar, por mbështetur

Deputeti në Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaum, gjatë një konference për shtyp në Tiranë ditën e sotme (28 tetor) ka theksuar edhe njëherë mbështetjen për sistemin e drejtësisë në vendin tonë. Ndalur te hetimet që po zhvillohen ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me çështjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, Krichbaum u shpreh se procedura është në dorë të Prokurorisë dhe është Gjykata që duhet të vendosë rrëzimin apo konfirmimin e akuzave. Sipas tij, politika nuk duhet të përzihet në sistemin e drejtësisë, teksa theksoi se SPAK nuk duhet akuzuar, por duhet mbrojtur në punën e tij.

“Të gjitha sulmet që bëhen ndaj SPAK-ut janë të gabuara dhe ne i dënojmë. Ka keqkuptime për imunitetin. Imuniteti nuk është privilegj. Procedura kundër Berishës është në dorë të Prokurorisë. Unë kam mendimin tim personal kur them se kur ngrihen akuzat, atëherë duhet të sqarohen dhe Gjykata është natyrisht institucioni perfekt nëse do të eliminohen apo do të vërtetohen këto akuza. Kjo nuk është procedurë e politikës po r e një sistemi të pavarur të drejtësisë dhe politika nuk duhet të përzihet. Sistemi i drejtësisë të lihet të bëjë punën e saj dhe të mos sulmohet. Secili që është pjesë e politikës nuk duhet ët përzihet në sistemin e drejtësisë, drejtësia duhet ët bëjë punën e saj. Ndaj jam kundër sulmeve ndaj SPAK. SPAK duhet të mbrohet në punën e tij”, u shpreh ai.

Berisha po hetohet nën akuzën e korrupsionit pasiv për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, ndërsa i është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”. Kujtojmë se në seancat e zhvilluara ndaj tij në GJKKO Berisha nuk ka qenë i pranishëm, ndërsa procesin dhe akuzat që rendojnë ndaj tij i ka konsideruar si “sulme politike”.

I pyetur në lidhje me situatën në të cilën ndodhet PD, deputeti gjerman u shpreh se qytetarët presin që një parti të mund të zgjidhë problemet e veta, ndryshe nuk mund të jetë atraktive as për zgjedhësit.

“S’kam mundur ta shoh procesin ndaj Berishës. Ai ka përshtypjen se thotë; jam kryetar i partisë. Se kujt i takon partia, do të duhej të bëhej përmes procedurave të rregullta. Partia do të duhet të jetojë procese të rregullta, ndaj PD do të duhej të sqaronte rrethanat. Unë thjesht këshilloj. Njerëzit në një vend presin që një parti të mund të zgjidhë problemet e veta. Në fund të ditës, qytetarët thonë nëse një parti nuk është në gjendje të zgjidhë problemet e veta, nuk do të ishte në gjendje të zgjidhe as problemet e mia. Një parti duhet të pyesë veten nëse në këtë gjendje është atraktive për zgjedhësit. Një vend që ka sfida të mëdha ka nevojë për parti të forta dhe kjo është një sfidë e madhe në kontekstin e anëtarësimit në BE. Kjo kërkon një gjeneratë të re që të qëndrojë në vendin tuaj dhe nëse ata nuk i shikojnë këto perspektiva, do t’i kërkonin perspektivat e të ardhmes së tyre në një vend tjetër dhe është për të ardhur keq”, theksoi ai.

Ndalur te arsyet e vizitës së tij në Tiranë, deputeti gjerman sqaroi se ndodhet në Shqipëri në kuadër të perspektivës europiane të vendit tonë. Ai theksoi se Shqipëria duhet të përmbushë 15 kushtet e vendosura nga BE-ja për anëtarësimin.

“Për të shmangur keqkuptimet e vizitës time. Jam këtu se Shqipëria duhet të përmbushë 15 kushtet. Nuk ka rëndësi se kush përmendet, Basha apo Berisha. Sa i përket përmbushjes së 15 kushteve, në këtë kontekst, struktura që unë kam të bëj, janë strukturat e integrimit. Fokusi i vizitës time ishte i ndryshëm nga ai dy pyetjeve të fundit. Dëshiroj që të shoh një vend drejt rrugës së BE. Janë 35 kapituj të veçantë, që duhet të plotësohen”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›