Hetimet në naftë dhe ndikimi i tyre, Shoqata e Hidrokarbureve shpjegon pse nuk janë të nevojshme

Komisioni i Konkurrencës ka marrë vendimin për hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjes NOA CONTROL SHPK, që ofron shërbimin e kontrollit ligjor të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm (GLN). Kontrata koncensionare shtrihet deri në vitin e largët 2039.
Pa paragjykuar hetimin dhe rezultatin e tij, Televizioni Publik kërkoi nga Shoqata e Shoqërive Hidrokarbure të Shqipërisë, që përmbledh pothuajse të gjithë shoqëritë e importit dhe tregtimit të hidrokarbureve, të shpjegojë, sipas saj, ndikimin e të paktën 4 koncensioneve afatgjatë në këtë sektor.
Tregjet e karburanteve ka qenë disa herë objekt i hetimeve të mëparshme nga Autoriteti i Konkurrencës. Në fund të muajit tetor të vitit 2021, Autoriteti i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit, shitjes me shumicë të karburanteve.
Autoriteti i Konkurrencës mbylli hetimin në tregun e karburanteve pa marrë asnjë masë ndëshkuese ndaj kompanive nën hetim. Ndonëse zyrtarisht nuk ka fajtorë, hetimi ka konfirmuar se tregu nuk funksionon siç duhet dhe konsumatorët po paguajnë çmimin e konkurrencës së pamjaftueshme.
Hetimi i ri paraprak i komisionerëve të Autoritetit të Konkurrencës synon të provojë se në treg ka krijim të pozitës dominuese nga shoqëria NOA CONTROL dhe se ligji dhe vendimi në zbatim të tij i jep koncesionarit mundësinë për të abuzuar me pozitën dominuese që ka fituar.
Tregu i hidrokarbureve trajton rreth 700 mijë ton produkte në vit dhe në të operojnë 187 kompani nga të cilat aktive janë rreth 25 kompani.
Ky koncension, i kontrollit të pompave, është koncensioni i fundit në këtë treg pas koncensioneve të monitorimit dhe markimit të karburanteve, dhe atij të skanimit në doganë.
/rtsh/