Hetimet për “21 Janarin”, Meta: SPAK kërkon të mbaj nën presion Berishën, përgjegjësi direkte e Bashës

TIRANË, 22 korrik/ATSH/- Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka deklaruar sot se “Lulzim Basha ka përgjegjësi direkte për vrasjen e 4 protestuesve me 21 janar 2011”.
I pyetur nga gazetarët mbi rihapjen e hetimeve nga SPAK për dosjen e 21 Janarit, Meta theksoi se “Basha ka përgjegjësi direkte, pasi duhet të kishte marrë të gjitha masat e nevojshme si Ministër i Brendshëm për të evituar gjakderdhjen”.
“SPAK është një organizatë kriminale që drejtohet nga Dum Dumani. E ka treguar shumë qartë pas dështimit spektakolar në Kuvend ku përfaqësues të opozitës e diskretituan Dum Dumanin dhe SPAK-un e tij, dhe ku ai botërisht deklaroi se krimi i inceneratorëve ishte krim intelektual dhe nuk ishte i lehtë për tu zbardhur. Krimi i Incenertorëve është një grabitje në mes të ditës, ditë me diell dhe në sytë e gjithë shqiptarëve dhe të gjithë botës”, tha Meta.
“Padyshim sipas regjisë së Edi Ramës, drejtësia me regji, rihapi 21 janarin dhe gjen dhe ditën sot gjoja për të fokusuar këtë çështje për të mbuluar diskretitimin e Dum Dumanit një javë më parë. Dhe së dyti, SPAK kërkon të mbaj nën presion liderin e PD, Sali Berisha, dhe opozitën e vërtetë ndaj regjimit të Ramë sepse është e qartë që nëse ka një përgjegjësi më 21 janar, ajo është përgjegjësi direkte e Lulzim Bashës, Ministër i Brendshëm asokohe”, theksoi Meta.
Ai tha se “Basha është paralajmëruar publikisht me letër dhe shkresa për të gjithë skenarin dhe nuk kishte marrë asnjë masë, as nga Policia as nga Garda për të ndaluar vrasjet e shëmtuara që ndodhën në Bulevard”.
Meta po ashtu akuzoi qeverinë dhe Ramën si përgjegjës edhe për privatizimin e klubit Partizani, ku sipas tij synohet të mbahet nën presioni lideri i opozitës.
“Edhe Mazniku i thirrur sot ishte pikërisht që ja godasim dhe andej dhe këndej. Është 4 vjet me vonesë SPAK për arrestimin e Veliajt”, përfundoi Meta.
Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, i është përgjigjur Ilir Metës për deklaratat e tij për 21 janarin. Në një reagim në rrjetet sociale, Basha shprehet se drejtësia ka shumë për të zbardhur 21 janarin dhe ky hetim nis që nga Ilir Meta që është njeriu me bllok, tek Edi Rama që është organizatori i saj.
Në videon e shpërndarë në facebook kur Meta dhe Berisha përplaseshin në Parlament për 21 janarin me akuzat më monstruoze, kreu i Demokratëve Euroatlantikë shkruan se sot i njëjti person mbron Berishën.
“Drejtësia ka shumë për të zbardhur për 21 janarin. Nga Ilir Meta, njeriu me bllok, te Edi Rama, organizatori i protestës me sebepin e bllokut, i cili më pas çuditërisht e bëri Ilir Metën pjesë të pushtetit dhe ata që i akuzonte si pjesë e grupit të zjarrit i emëroi kryetar të PS dhe të Bashkisë. E më pas e gjithë e vërteta deri në fund”, u shpreh Basha.
“Mashtrimet ordinere dhe zig-zaget e përditshme nuk mund t’i fshehin faktet të cilat janë para syve të çdo shqiptari. I njëjti person që sot bën sikur mbron Sali Berishën, ka bërë akuza nga më monstruozet ndaj tij edhe në këtë rast”, vijon Basha.
“Ilir Meta është simbol i pandëshkueshmërisë dhe i pazareve në kurriz të shqiptarëve dhe demokratëve. Pazaret, deliret dhe ankthet e tij kanë dëmtuar rëndë opozitën, ndërsa distancimi nga ai dhe të ngjashmit e tij janë kusht i pashmangshëm për fitoren e saj.”, tha Basha