E Enjte, 5 Nëntor 2026

Këshilltari i PL-së krijon tensione në Këshillin Bashkiak, Veliaj: Zbatim i ligjit që Tirana mos të mbetet peng i maktheve të Metës

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës është përfshirë nga momente tensioni këtë pasdite.

Në momentin kur kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori fjalën për të prezantuar rendin e ditës, këshilltari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi  i ka hedhur letra kryebashkikaut Veliaj.

Pas kësaj situate, këshilltari i PL, Tedi Blushi dhe këshilltari socialist, Halit Valterin kanë debatuar. Siç raportohet Blushi e ka goditur me grusht Valterin.

Menjëherë ka ndërhyrë policia bashkiake për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, ndërsa mbledhja u ndërpre.

Sipas informacioneve, Blushi është shoqëruar nga policia.

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar në platformën X dhe këtë veprim e konsideron sjellje vandale, ndërsa thekson se, kjo është shenjë dëshpërimi dhe jo force nga ana e Tedi Blushit.

“Sot këshilli bashkiak kishte për të votuar hapjen e 2 çerdheve të reja, abonetë falas për studentet, miratimin e shkollës Ecole 42 për të rinjtë, zonën e lirë ekonomike TEDA për 5 mijë vende pune të reja dhe grantin e Katarit për sheshin fundor tek Bulevardi i Ri”, u shpreh Veliaj në reagim.

Por, shtoi Veliaj, “Ilir Meta dhe rrugaçi i fundit që i ka mbetur, nuk e përballojnë dot as suksesin e Tiranës dhe as humbjen kolosale të partiçkës së tyre. Sjellja prej vandali ndaj kolegeve këshilltare, është shenjë dëshpërimi, jo force”.

“Do të kërkoj zbatimin e ligjit me përpikëri, që rrugaçëria të marrë përgjigjen që meriton, dhe Tirana të mos mbetet peng i maktheve të Ilir Metës e mjeranëve të tij”, theksoi Veliaj.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›