E Martë, 3 Nëntor 2026

Hetimet për kontejnerët me mbetje të dyshuara toksike në Portin e Durrësit, Prokuroria: Analizim i mostrave në laborator të certifikuar

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Pas afro katër muajsh nga sekuestrimi i 102 kontejnerëve me mbetje të dyshuara të rrezikshme në Porto Romano të Durrësit, Prokuroria e Durrësit njoftoi sot se po kryen hetime intensive.

Prokuroria bëri të ditur se i është drejtuar zyrtarisht të gjitha ministrive që kanë në varësi ente, laboratore dhe institucione që operojnë në Shqipëri me qëllim kryerjen e ekspertizës së nevojshme për substancat që dyshohen si të rrezikshme.

Pasi i është drejtuar Drejtorisë së Akreditimit, siç njofton Prokuroria e Durrësit “është identifikuar laboratori i certifikuar që plotëson të gjitha kushtet për marrjen e mostrave dhe kryerjen e analizimin e mostrave”.

Aktualisht është identifikuar laboratori që plotëson dhe ka infrastrukturën për garantimin e respektimit të të gjitha protokolleve dhe standardeve ndërkombëtare dhe shumë shpejt do procedohet me marrjen dhe analizimin e mostrave.

“Gjithashtu, gjejmë me vend të sqarojmë opinionin publik se, në kuadër të këtij procedimi penal, Bazel Action Network dhe Mileukontakt Shqipëri, përfaqësuar nga Jim Puckett, i është drejtuar Prokurorisë Durrës nëpërmjet një e-maili duke kërkuar që të pyetet si dëshmitar dhe të marrë pjesë si ekspert dhe vëzhgues gjatë procesit të marrjes së mostrave dhe analizimit”.

Në respektim të dispozitave ligjit procedural penal, Puckett është ftuar për t’u paraqitur në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës në datë 04.12.2024 me qëllim dhënien e dëshmisë dhe dorëzimin e provave që dispononte. Në pamundësi të paraqitjes së tij fizikisht, Z.Puckett i ka dërguar nëpërmjet e-mailit.

Anija turke “Moliva XA443A” që transportonte kontejnerët u ankorua në Portin e Durrësit në fund të tetorit të vitit të kaluar. Alarmi për transportin e mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria u dha nga Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN), një organizatë eksperte në çështjet e drejtësisë mjedisore. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›