Hetimet për ligjin ushtarak, presidenti i Koresë së Jugut ndalohet të dalë nga vendi

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, është ndaluar të largohet nga vendi për shkak të një përpjekjeje të dështuar për të vendosur ligjin ushtarak , tha të hënën një zyrtar i ministrisë së drejtësisë, mes thirrjeve në rritje për largimin e tij nga posti.
Yoon ka kërkuar falje për përpjekjen e dështuar për vendosjen e ligjit ushtarak, ndërsa shtoi se “ia linte fatin e tij politik dhe ligjor partisë së tij në pushtet”, Pushtetit Popullor (PPP), por nuk ka dhënë dorëheqjen.
Presidenti është bërë objekt i hetimit penal të nisur për rastin, ndërsa kreu i Zyrës së Hetimit të Korrupsionit për zyrtarët e lartë, tha se e kishte ndaluar Yoon nga udhëtimet jashtë vendit.
Presidenti Yoon i mbijetoi një votimi për shkarkim në parlament më 7 dhjetor si dhe ai ka refuzuar thirrjet për të dhënë dorëheqjen.
Prokurorët arrestuan të dielën ish-ministrin e mbrojtjes Kim Yong-hyun për rolin e tij të dyshuar në shpalljen e ligjit ushtarak më 3 dhjetor.
Sipas ligjit, Presidenti i dha ushtrisë fuqi emergjente gjithëpërfshirëse për të çrrënjosur ato që ai i quajti “forcat anti-shtetërore” dhe kundërshtarët politikë pengues. Ai e anuloi urdhrin gjashtë orë më vonë, pasi parlamenti votoi kundër dekretit.
Mes reagimit të ashpër, zyrtarë të shumtë ushtarakë, përfshirë ministrin në detyrë të mbrojtjes, kanë thënë se nuk do të ndjekin asnjë urdhër të ri për të vendosur përsëri ligjin ushtarak.
Partia kryesore e opozitës, Partia Demokratike (PD) ka bërë thirrje që Presidentit t’i hiqet autoriteti i tij mbi ushtrinë dhe ka kërkuar arrestimin e tij dhe të çdo zyrtari ushtarak të implikuar në ligjin ushtarak.
Kreu i partisë në pushtet, Pushtetit Popullor (PPP), Han Dong-hoon tha se presidenti do të përjashtohej nga punët e jashtme dhe të tjera shtetërore dhe kryeministri Han Duck-soo do të menaxhonte punët e qeverisë.
/rtsh.al/