E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimet për mashtrim dhe korrupsion, dorëhiqet nga detyra rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini

Ka dhënë dorëheqjen nga detyra e rektores së Kolegjit të Evropës dhe Drejtoreshës së Akademisë Diplomatike të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Vendimi i saj vjen pas ndalimit nga Policia belge në kuadër të hetimit mbi financimin e diplomatëve të rinj evropianë.

“Në përputhje me rigorozitetin dhe ndjenjën më të madhe të drejtësisë me të cilën kam kryer gjithmonë detyrat e mia. Sot kam vendosur të jap dorëheqjen nga pozicionet e mia si Rektore e Kolegjit të Evropës dhe Drejtoreshë e Akademisë Diplomatike të Bashkimit Evropian”, deklaroi Mogherini.

Pas më shumë se dhjetë orësh marrje në pyetje, Mogherini u lirua pa masa shtrënguese, pasi autoritetet nuk e konsideruan rrezik arratisjeje. Ajo ka mbrojtur veprimet e saj, duke theksuar se çdo procedurë ishte zhvilluar në mënyrë transparente dhe se nuk është përfituar asnjë favor.

Megjithëse hetimet vazhdojnë, presioni publik dhe institucional e bëri të pamundur vazhdimin e saj në krye të institucionit prestigjioz.

“Jam e sigurt se komuniteti i Kolegjit do të vijojë rrugën e inovacionit dhe përsosmërisë që ndërtuam së bashku këto pesë vite. Jam krenare për arritjet tona dhe mirënjohëse për mbështetjen e studentëve, stafit dhe ish-studentëve”, shkroi Mogherini në mesazhin e dorëheqjes.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›