I përfshirë në vrasjen e Santiago Malkos, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me 25 vite burg për Blendi Tetën

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi dënimin me 25 vite burg për Bledi Tetën, i akuzuar për përfshirjen e tij në vrasjen e ish-policit Santiago Malko, ngjarje e shënuar më 27 gusht 2019.
Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Tereza Merkaj (kryesuese) dhe anëtarët Valdete Hoxha dhe Edlira Petri, vendosi këtë të enjte, 4 dhjetor, lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë, që e dënonte Blendi Tetën me 25 vite burg, nën akuzën se kishte vëzhguar lëvizjet e viktimës dhe kishte ndihmuar autorët në ekzekutimin e Malkos.
Kjo çështje ishte rikthyer për rishqyrtim, pasi Gjykata e Lartë, në maj 2025, prishi vendimin e Apelit të Posaçëm të datës 14 qershor 2022 dhe urdhëroi gjykimin e saj me një trup tjetër gjykues, pas ankimit të Tetës.
Blendi Teta u dënua nga Apeli me 25 vite burg, nën akuzën se ai vëzhgonte lëvizjet e Malkos dhe ndihmoi autorët në ekzekutimin e tij. Të akuzuar po ashtu nga SPAK për këtë ngjarje janë: Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmani, Oltian Loga, Aleksandër Maxhaku, Fatmir Hyseni (Musai), Dritan Agaj, Xhoni Nica dhe Elvis Gaçaj.
/rtsh.al/