Hetimi i organeve, Ashton:Të zbardhet e vërteta për trafikun

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për çështjet e Jashtme dhe Sigurisë, Catherine Ashton tha se duhet të shpallet sa më shpejtë e vërteta rreth trafikut të organeve. Deklarata e saj u dha pak kohë pasi BE vendosi të formojë një grup të veçantë hetuesish të specializuar për të hetuar akuzat e Dik Martit mbi kryeministrin Hashim Thaçi dhe ish-udhëheqësve të tjerë të UÇK-së.
"Është në interesin e të gjithëve që e vërteta të dalë në sipërfaqe dhe drejtësia të shkojë në vend", tha Ashton për median ruse, "Russia Today". Ajo riktheksoi se vizitoi Beogradin dhe Prishtinën dhe bisedoi me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi ndërsa theksoi se shpreson tek një hetim i cili do të nxjerrë në dritë të vërtetën rreth akuzave, duke theksuar se nëse akuzat janë të vërteta, disa njerëz do të dalin përpara drejtësisë.
Duke komentuar arrestimin e Ratko Mlladiç, përfaqësuesja e lartë zyrtare e BE-së tha se ishte një rastësi që i padituri i Gjykatës së Hagës u kap në të njëjtën ditë kur ajo ishte në vizitë zyrtare në Beograd.