E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi i zgjedhjeve, PS prezanton projektin

09/03/2010 Nis shqyrtim i nismave të opozitës për daljen e vendit nga kriza politike

Mazhoranca dyshuese për respektimin e vendimeve të Kushtetueses

Albana Lika

Komisioni parlamentar i Ligjeve nisi dje shqyrtimin e nismave të socialistëve për hetimin e procesit zgjedhor me qëllimin sigurimin e transparencës dhe nxjerrjen e vendit nga kriza. Paraqitjen para komisionerëve e bëri deputeti i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri, i cili i garantoi kolegët e tij të mazhorancës se projekti i forcës politike që ai përfaqëson nuk ka si qëllim të cenojë rezultatin zgjedhor apo ta kthejë atë. Ai tha se qëllimi i projektit që ndodhej në tavolinat e tyre synonte përmirësimin e proceseve të ardhshme zgjedhore duke nxjerrë mësime nga ai i 28 qershorit. E mbetur në kuadrin e një seance më tepër dëgjimore, deputetët e djathtë drejtuan vetëm pyetje, të cilat në njëfarë mënyre nënkuptuan “merakun” e tyre ndaj këtij projekti. Komisioni do të vijojë sot me diskutimin në parim të projektit dhe në seancën e radhës me diskutimin nen për nen, ku nuk do të mungojnë as amendamentet e deputetëve të mazhorancës. Po dje komisioni caktoi dy relatorët e komisionit, Viktor Gumin dhe Sajmir Tahirin, të cilët do të hartojnë një relacion konsensual.

Prezantimi

“Nuk kërkojmë të kthejmë asnjë vendim gjyqësor apo administrativ. Nëse kërkojmë të bëjmë transparencë, e kërkojnë në mënyrë që gabimet të mos përsëriten më. Nëse i vetmi ndryshim janë mjetet e hetimit, që nuk kanë asnjë kufizim kushtetues apo ligjor, mjetet e hetimit dihet se çfarë janë. Janë ato të këqyrjes dhe administrimit të dokumenteve. Asnjë nuk mund ta pengojë Kuvendin të marrë në dispozicion këto dokumente për efekt të hetimit dhe jo për të bërë një hetim paralel gjyqësor.” Ky ka qenë thelbi i relatimit që i bëri socialisti Gjiknuri fillimisht projektligjit dhe më pas i përgjigjeve ndaj shqetësimit të deputetëve të PD-së mbi legjitimitetin e tij në raport me vendimet e Gjykatës Kushtetuese për ligjin për komisionet hetimore. Siç rezultoi edhe nga seanca e djeshme, ndryshimet do të kenë afekte prapavepruese, çka do të thotë se ato do të veprojnë edhe për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Fuqia prapavepruese e këtij projektligji është në interesin publik, ajo do t’i shërbejë Kuvendit për të hetuar zgjedhjet dhe për t’i kthyer legjitimitetin moral këtij Kuvendi. Ia vlen qoftë edhe ky përjashtim nga rregulli i përgjithshëm, meqenëse është brenda kuadrit kushtetues, ndërkohë që gjithashtu nuk cenohen marrëdhëniet e rregulluara”, - vijoi ai.

Mazhoranca

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, vendimet e institucioneve të tjera për zgjedhjet e 28 qershorit, kompetencat e legjislativit - ishin çështjet mbi të cilat u vendos pozicioni i deputetëve të mazhorancës në pyetjet drejtuar deputetit socialist. Sekretari i komisionit, deputeti i PD-së Eduard Halimi, në pyetjet e tij u përqendrua pikërisht në vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me interpretimin në vite të ligjit “Për komisionet hetimore”. “Ky ligj ka kaluar disa herë në Kushtetuese dhe janë vendosur disa standarde lidhur me objektin e hetimit të komisionit dhe kufijtë e kompetencave të tij. Sipas vendimit të Kushtetueses, Parlamenti nuk mund të hetojë çështje të cilat ekskluzivisht i përkasin juridiksionit të hetimit dhe konkretisht Prokurorisë së Republikës. A mendoni se ky standard e kushtetuese duhet implementuar në këtë ligj, duke ndaluar këtë komision hetimor apo dhe komisione të tjera që të mos bëjnë asnjë artikulim apo vlerësim mbi konkluzionet përfundimtare të vendimeve të gjykatave të formës së prerë?” - tha Halimi. Komisioni parlamentar i Ligjeve do të vijojë me diskutimin e këtij projekti pikërisht në mbledhjen e sotme parlamentare.

Relatorët

Viktor Gumi nga mazhoranca dhe Sajmir Tahiri nga opozita u caktuan si dy bashkërelatorë për të sjellë në komision një projekt konsensual për hetimin e zgjedhjeve.

Procedurat

Afat të fundit për paraqitjen e amendamenteve komisioni përcaktoi datën 11, ndërkohë që më 18 mars Kuvendi vendosi të kalojë në seancë plenare nismat ligjore të selisë rozë.

Projektligj

“Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 2.05.2002, «Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit»”

Neni 1

Në nenin 4, pika 5 ndryshon si më poshtë:

“Komisionet hetimore të Kuvendit, bashkë me raportin përfundimtar i paraqesin Kuvendit në seancë plenare rekomandime lidhur me nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, ndryshime apo miratime ligjesh me qëllim ndalimin e fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin, dhe sipas rastit njoftimin e Prokurorisë për vlerësimin prej saj sipas procedurave përkatëse ligjore.”

Neni 2

Në nenin 4 pas pikës 6 shtohet pika 6/a me këtë përmbajtje:

“Në rast se kërkohet ngritja e komisionit hetimor për hetimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet e përgjithshme ose ato të qeverisjes vendore, ky komision nuk mund të ngrihet në rast se kanë kaluar:

1) 6 muaj nga dita kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të përgjithshme të Kuvendit;

2) 3 muaj nga dita kur KQZ-ja ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për qeverisjen vendore.

Në çdo rast veprimtaria e komisionit hetimor për hetimin e çështjeve që lidhen me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme ose ato të qeverisjes vendore do të konsiderohet e përfunduar në kufirin e 24 muajve, që paraprijnë ditën e mbarimit përkatësisht të mandatit të Kuvendit apo të organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive bazë të qeverisjes vendore.”

Neni 3

Në nenin 9 pas pikës 3 të ligjit shtohet një pike 3/a me këtë përmbajtje: “Në rastet kur objekti i hetimit lidhet me çështje të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin apo të qeverisjes vendore, shumica e anëtarëve të komisionit hetimor i përket partisë më të madhe të opozitës.”

Neni 4

Neni 17 i ligjit ndryshohet si më poshtë:

“Administrimi i dokumenteve dhe të dhënave të tjera që ndihmojnë hetimet:

1. Në shërbim të hetimeve mbi çështjen, komisioni administron dokumente zyrtare, prova filmike si dhe të dhëna të tjera që ndihmojnë në zhvillimin e hetimeve.

2. Organet kompetente që i disponojnë këto të dhëna apo prova janë të detyruara t’ia përcjellin zyrtarisht ose t’i vënë në dispozicion komisionit sipas kërkesës së tij jo më vonë se 7 ditë nga dita e marrjes së kërkesës.

3. Në rastet kur objekti i hetimit lidhet me çështje të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin ose për qeverisjen vendore dhe në shërbim të hetimeve mbi çështjet, shumica e anëtarëve të komisionit mund të vendosë hapjen e një apo disa kutive të materialeve zgjedhore për të këqyrur, hetuar ose publikuar një apo disa nga dokumentet zgjedhore dhe/ose hapjen e një apo disa kutive të fletëve të votimit duke bërë rinumërimin e tyre për efekt të verifikimit të problemeve të mundshme të evidentuara gjatë procesit të pasqyrimit të rezultatit të numërimit të votave në tabelat përkatëse të rezultateve.

4. Anëtarët e komisionit hetimor, ekspertët e angazhuar prej tij dhe personeli ndihmës i komisionit janë përgjegjës për ruajtjen e sekretit shtetëror gjatë hetimeve sipas rregullave të parashikuara në nenet 159, 160 dhe 161 të Kodit të procedurës penale.”

Neni 5

Dispozitë kalimtare

“Për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit 2009 afati i paraqitjes së kërkesës në përputhje me nenin 4, pika 6/a të ligjit fillon nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›