E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlera, bonot e privatizimit arrijnë në 11 për qind

09/03/2010 Riaktivizimi në legalizime dhe privatizim rrit vlerësimin në treg

Menjëherë pas fillimit të pagesave për legalizimin e objekteve pa leje me bono privatizimi, tregu i këtyre të fundit ka shënuar sërish rritje. Ditën e djeshme bonot bliheshin me 11 për qind dhe u shitën nga kambistët me 12.5 për qind, ndërkohë që vetëm 1 javë më parë vlera e tyre arrinte në vetëm 7 për qind. Brenda një harku kohor prej 8 muajsh, vlera e bonove të privatizimit ka shënuar shumë ulje ngritje ku pikën më të lartë e arritën në gushtin e vitit të kaluar. Sipas kambistëve, duke parë fluksin e interesit të qytetarëve për blerje, parashikohet që vlera e bonove të rritet sërish duke kapur vlerën e 15 për qind. Nga ana tjetër, vetë qytetarët po tregohen skeptikë për vlefshmërinë e bonove të privatizimit dhe nuk dinë nëse është më me shumë interes t‘i shesin bonot që disponojnë, apo të blejnë të tjera në pritje të përfshirjes së tyre në privatizim. Por realisht procesi i pagesës për legalizim me bono ka filluar dhe interesi për blerjen e tyre nga ana e të interesuarve është rritur ndjeshëm, ndërkohë që afati për këtë proces zgjat vetëm tre muaj. Kjo do të thotë se interesi për të blerë do të zgjasë vetëm tre muaj dhe më pas do të shënojë rënie, por kambistët duken optimist në parashikime, pasi sipas tyre deklaratat për përfshirjen e letrave me vlerë në procesin e privatizimit do të bëjë që vlera e tyre në treg të vijojë të jetë e lartë. Miratimi i ligjit, për të futur bonot e privatizimit në procesin e legalizimit, ku nëpërmjet tyre qytetarët mund të paguanin deri në 80 për qind të detyrimit që i kanë ALUIZNI-t i dha shtysë të fuqishme tregtimit të tyre. Ndërsa për vite më radhë, këto letra me vlerë u mbajtën në sirtarët e qytetarëve që u pajisën me to pas privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore, përcaktimi i destinacionit të përdorimit të tyre u rriti ndjeshëm vlerën brenda pak kohësh. Nga ana tjetër qeveria ka vendosur të riaktivizojë një sasi të konsiderueshme bonosh privatizimi, të bllokuara në disa fonde investimi prej shumë vitesh, duke ua shpërndarë atë qytetarëve. Miratimi i projektligjit për "Sipërmarrjet e investimeve kolektive", parashikon që të gjitha bonot e privatizimit të investuara në këto fonde investimi do t’ju shpërndahen individëve.

Dyshimi

Tashmë pritet që Ministria e Financave të përgatisë udhëzimin për shpërndarjen e bonove të mbetura në kompanitë investuese në mënyrë që t’i rikthehen sërish qytetarëve. Rrjedhimisht, do të ketë edhe luhatje në çmimin e tregtimit të këtyre letrave me vlerë. Por duke pasur parasysh interesin e qytetarëve për t"i përdorur bonot në procesin e legalizimit, nuk mund të thuhet me siguri se hedhja në treg e do të ulë vlerën e tyre.

Afati

Duke filluar nga data 12 mars, të gjithë qytetarët që kanë nisur procesin e legalizimeve dhe kanë kryer pagesën apo ata që ende nuk kanë nisur procesin, kanë vënë në përdorim edhe bonot e privatizimit. Në respektim të afateve ligjore qytetarët do të kenë tre muaj kohë për të kryer pagesën për legalizimin me bono, ndërsa pas kalimit të këtij afati shlyerja e detyrimit do të bëhet vetëm me para.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›