E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi për Ethet e Nilit, ISHP merr 20 mostra në Korçë pas konfirmimit të rastit të parë

Një ekip me specialistë të Institutit të Shëndetit Publik ka mbërritur ditën e sotme në Korçë, në kuadër të hetimit epidemiologjik pas konfirmimit të rastit me virusin e Nilit Perëndimor.

Specialistët po kryejnë hetimin entomologjik dhe depistimin në vatër, me fokus identifikimin e pranisë së mushkonjave që mund të jenë bartëse të virusit dhe vlerësimin e situatës në zonën ku është evidentuar rasti.

Në kuadër të hetimit janë marrë rreth 20 mostra nga popullata, të cilat do t’i nënshtrohen analizave përkatëse.)

Rasti i konfirmuar i përket një 72-vjeçari, banor i Lagjes 7 të qytetit të Korçës, i cili ndodhet në reanimacionin e Spitalit Rajonal.

Sipas burimeve nga spitali, gjendja e tij është e stabilizuar dhe ai po merr trajtimin mjekësor, ndërsa dyshohet se është pickuar nga një mushkonjë teksa qëndronte në një lulishte.

Krahas analizave të marra nga banorët, specialistët e ISHP-së po kryejnë kontrolle në terren për të evidentuar praninë e mushkonjave që mund të transmetojnë virusin. Në vijim pritet edhe ndërhyrja për dezinfektimin dhe trajtimin e zonave ku mund të identifikohet prania e tyre, në varësi të rezultateve të hetimit.

Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen përmes pickimit të mushkonjave të infektuara dhe nuk kalojnë nga njeriu te njeriu. Autoritetet shëndetësore vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa rezultatet e analizave do të ndihmojnë në përcaktimin e masave të mëtejshme për parandalimin e rasteve të reja.

Gazetare: E. Fili       

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›