E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Hetimi për dokumentet e klasifikuara, FBI kontrollon shtëpinë e Pence

FBI ushtroi kontroll në shtëpinë e ish-zëvendëspresidentit, Mike Pence në Indiana të premten, për të dhëna të mundshme lidhur me dokumente të klasifikuara, pas zbulimit nga avokatët e tij muajin e kaluar të dokumenteve të ndjeshme të qeverisë.

Kërkimi, i përshkruar si konsensual pas negociatave ndërmjet përfaqësuesve të Pence dhe Departamentit të Drejtësisë, vjen pasi ai është thirrur edhe në një hetim të veçantë për përpjekjet e ish-presidentit, Donald Trump, për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020.

Pence tani është zyrtari i tretë aktual ose ish-zyrtari i lartë i SHBA-së, duke i’u bashkuar Trump dhe Presidentit Joe Biden, të cilëve agjentët e FBI-së i kontrolluan shtëpitë e tyre për të dhëna të klasifikuara. 

Gatishmëria e Pence dhe Biden për të lejuar FBI-në të kontrollojë shtëpitë e tyre dhe të paraqitet si plotësisht bashkëpunues, pasqyron dëshirën e të dyve për të shmangur dramën që përfshiu Trump vitin e kaluar, që detyroi Departamentin e Drejtësisë të merrte një urdhër për të kontrolluar në pronën e tij në Florida.

Policia bllokoi rrugën jashtë lagjes së Pence në Carmel, në veri të Indianapolis, të premten pasdite ndërsa FBI ishte brenda shtëpisë. Vetë Pence ishte jashtë shtetit, duke vizituar familjen në Kaliforni pas lindjes së një nipi.

Një anëtar i ekipit ligjor të Pence ishte në shtëpi, sipas një prej njerëzve të njohur me situatën, i cili foli me Associated Press në kushte anonimiteti, për të ndjekur veprimet në zbatim të ligjit. Ai person tha se FBI-së iu dha akses i pakufizuar.

FBI-ja kishte marrë më parë atë që avokati i Pence e përshkroi si një “numër i vogël dokumentesh” që kishin “ardhur në kuti dhe ishin transportuar pa dashje” në shtëpinë e Pence në Indiana në fund të administratës Trump. Apnews

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›