E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Hetimi për falsifikimin e diplomës, Këlliçi dy orë në SPAK

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi, u pyet sot për dy orë në SPAK në kuadër të hetimit për falsifikim të diplomës së shkollës së mesme dhe deklarim të rremë në formularin e vetëdeklarimit si kandidat për deputet dhe kandidat për kryetar bashkie të Tiranës.

“Sot jam paraqitur në SPAK në lidhje me një kallëzim nga një mashtrues i dënuar me vendim gjykate 1 vit para se të lindja. Kam lindur në 1987. Kam dhënë të gjitha sqarimet e mia shteruese për shpifjet, vrerin e hedhur ndaj meje se kam rrëzuar një skemë korruptive dhe kam rrëzuar bandën më të madhe të hajdutëve 5D. Kreu i së cilës doli nga kolegët e SPAK. Jam i hapur për çdo pyetje dhe çdo sqarim të mëtejshëm me mua, familjen time që nga dita që kam lindur 25.1.1987 e deri më sot”, tha Këlliçi për gazetarët kur doli nga SPAK.

“Nëse dikush mendon se duke përdorur persona të diskredituar që nga 1986, do t’më mbyllë mua gojën, e ka gabim. Lërini mënjanë dhe më dilni përballë kushdo që do të më intimidojë. Kushdo që ka diçka në raport me mua të nxjerrë fytyrën ballë për ballë, siç e kam nxjerrë unë”, tha Këlliçi pas daljes nga SPAK.

Këlliçi u shpreh se, është pyetur edhe për foton e realizuar me Donald Trump në SHBA.

“Jam pyetur edhe a kam kam paguar dhjetëra-mijëra euro për të bërë foto me Trump. Jam pyetur për gjithçka, por duke qenë se më është kërkuar të ruaj sekretin hetimor, prisni reagimin zyrtar të SPAK”, tha Këlliçi.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›