E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Karta e konsumatorit do të kthejë të gjithë TVSH e shpenzuar për ushqimet dhe produktet bazë

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, PD kaloi një proces shumë të pamerituar, por e kaloi me sukses atë proces.

Në fjalën e tij në një takim me anëtarët e Degës 5 në Tiranë, Berisha u shpreh se, “u përpoqën të na përçajnë, u përpoqën të na caktojnë kryetarin, u përpoqën me shumë përpjekje, por përpjekje të jashtëzakonshme jo vetëm të narkodiktatorit që tani është i shtamposur në të gjitha rezolutat si i tillë, por edhe nga Xhorxh Soros dhe mafia e tij e rrezikshme”, tha Berisha.

“Ja ku jemi ne sot, jemi të bashkuar, jemi me flamurin e PD, po e përcjellim për në banesën e fundit të politikës, Erion Veliajn dhe do të përcjellim Edi Ramën në zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh Berisha.

“Ne kremtojmë këtë vit të ri pas sakrificash reale, të imponuara të mëdha, por e kremtojmë këtë vit të ri, pasi jemi ngjitur në një stacion nga i cili është në duart tona, në vullnetin tonë dhe asgjë s’mund të na ndalë për të firmosur në 11 maj, fitoren e merituar”, tha Berisha.

Berisha foli edhe për situatën ekonomike në vend. Sipas tij gjendja është alarmante.

“Shqipëria është e fundit në rajon për rrogat dhe pensionet, janë rritur vetëm pagat e larta të zyrtarëve”, tha ndër të tjera Berisha.

“Çmimet në tregun e lirë kanë ecurinë e tyre, dhe sot pensionisti me 160 mijë lekë, nga 143 mijë që merrte në vitin 2013, blen ushqimet absolutisht me çmim 2 herë, gjer 2.5 herë më shtrenjtë seç i blinte në vitin 2013”, shtoi Berisha.

Duke folur për qeverisjen përpara vitit 2013, Berisha tha se, “dyfishuam rrogat e pensionet, ne dyfishuam rrogat dhe pensionet, dhe ndërtuam mbi 11 mijë km rrugë. Ne u faktuam shqiptarëve se ata të ardhura që kishin po ua kthenim atyre, por ua kthenim me rroga, pensione, po ua kthenim duke ndërtuar rrugë për komunitetin kudo që ishte”.

“Çfarë ndodhi sot? Sot ne që ishim në krye për rrogat dhe pensionet në vitin 2013, u rrokullisëm të fundit”, u shpreh Berisha.

Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se, “do të vihet në funksion karta e konsumatorit që do t’u kthejë shqiptarëve të gjithë TVSH që ka shpenzuar për ushqimet dhe produktet bazë. Do të ketë çmim qartësisht të diferencuar për energjinë elektrike”.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›