E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi për tunelin e Llogarasë, kreu i ARRSH paraqitet në SPAK. Avokati: Nuk kemi deklaratë

Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, u paraqit mëngjesin e kësaj të hëne, më 3 nëntor, në Prokurorinë e Posaçme, i shoqëruar nga avokati i tij.

Qëndrimi i tij në ambientet e prokurorisë zgjati vetëm disa minuta, ndërsa pas daljes nuk dha asnjë koment për mediat. Edhe avokati i tij u shpreh shkurtimisht se “nuk kemi deklaratë”.

Sipas gazetares së RTSH-së, Lusi Përgjegji, Gjyli është thirrur nga SPAK në kuadër të hetimeve për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë.

Ai akuzohet për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në kohën kur ka qenë pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, gjatë periudhës kur ARRSH drejtohej nga Evis Berberi.

Kujtojmë se më 31 tetor, SPAK i komunikoi të njëjtën akuzë Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila është nën hetim për shkelje të barazisë në tenderin për ndërtimin e tunelit në aksin rrugor Orikum–Himarë.

Pas daljes nga Prokuroria, Balluku deklaroi se është “shpresëplotë që procesi do të jetë i bazuar në transparencë”.

Sipas SPAK, abuzimet e dyshuara lidhen me procedurat e zhvilluara për tenderin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë me një fond limit prej 18,967,810,952.08 lekësh pa TVSH.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›