E Diel, 1 Nëntor 2026

74 vite UBT, ambasadorja austriake: Bashkëpunimi me BOKU, nismë strategjike që forcon urat akademike mes dy vendeve

Në kuadër të aktivitetit të 74-vjetorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, ambasadorja e Austrisë në Shqipëri, Monika Zach, vlerësoi bashkëpunimin mes UBT dhe Universitetit BOKU të Vjenës, duke e cilësuar atë si një nismë strategjike që forcon urat akademike dhe ekonomike mes dy vendeve.

“Bashkëpunimi i BOKU me Universitetin e Bujqësisë është më shumë se formim akademik – është një partneritet strategjik që nxit inovacionin, arsimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Vetëm gjatë një viti, ky bashkëpunim ka sjellë rezultate të jashtëzakonshme: janë rishikuar 9 programe studimi, duke rritur cilësinë në fusha kyçe si ekonomia bujqësore, bujqësia dhe pyjëtaria,” u shpreh ambasadorja Zach.

Ajo shtoi se Fakulteti i Mjekësisë Veterinare po avancon procesin e akreditimit ndërkombëtar të trupës akademike, me qëllim njohjen e diplomave veterinare shqiptare në arenën europiane.

“Do të ketë reforma strukturore që do ndihmojnë akademikët dhe institucionet në drejtim të inovacionit. Shkenca mund t’i shërbejë politikëbërjes, duke ndikuar në shëndetin publik, zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e qytetarëve,” vijoi ajo.

Ambasadorja theksoi gjithashtu rëndësinë e shkëmbimit të dijes, kërkimeve të përbashkëta dhe mbështetjes për shkencëtarët e rinj, si pjesë e një vizioni të përbashkët europian.

“Përkushtimi dhe idetë tuaja i japin jetë këtij partneriteti dhe vizionit tonë të përbashkët për një të ardhme evropiane,” përfundoi Zach.

Konferenca kishte në fokus zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, përmes kërkimit shkencor dhe inovacionit që respekton natyrën dhe fuqizon ekonominë rurale. Në qendër të diskutimeve ishte vizioni për një Shqipëri Europiane 2030, ku shkenca dhe teknologjia shihen si aleatët më të fortë për një të ardhme më të mirë për fermerët, mjedisin dhe çdo qytetar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›