E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi për “videon 2”, Prifti e Beqiri në Prokurori

SHKRUAN: Leonard Bakillari 25-02-2011 10:50

Tiranë- Vendimi i djeshëm i Parlamentit për të hequr imunitetin e deputetit Dritan Prifti i ka hapur rrugën hetimit të plotë të përmbajtjes së dy videove, njëra prej të cilave e riprodhura nga eksperti amerikan. Menjëherë pas këtij vendimi, organi i akuzës nuk ka humbur kohë, duke kërkuar kështu dëshminë e ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, dhe ish-vartësit të tij Leonard Beqiri. Sipas Prokurorisë, vonesa e Parlamentit në heqjen e imunitetit të Dritan Priftit, ka sjellë pengesa në hetimin e çështjes, pasi shumë prej veprimeve hetimore që do të kryheshin për videon Prifti-Beqiri kanë qenë të pamundura për shkak të imunitetit që mbante deri dje z. Prifti. Kjo vonesë e Parlamentit, sipas Prokurorisë, ka sjellë zvarritje të hetimeve edhe për videon Meta-Prifti, pavarësisht se imuniteti i ish-zv. kryeministrit është hequr më shumë se një javë më parë. Sipas burimeve, mësohet se, përsa i përket videos së transmetuar në emisionin “Fiks Fare”, dy protagonistët kryesorë kanë dhënë shpjegime në Prokurorinë e Përgjithshme. Dritan Prifti është thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni dhe që mund të ndihmojë rrethanat e hetimit, ndërsa ish-zv. kryeministri është paraqitur me vullnetin e tij për të dhënë shpjegime. Pas vendimit të djeshëm të Parlamentit, hetimi, sipas burimeve, pritet të përqendrohet më së shumti në videon e dytë, ku ish-ministri Prifti dhe ish-vartësi i tij Beqiri shfaqen duke ndarë një shumë prej 70 mijë eurosh. Duke qenë se për këtë video të riprodhuar nga eksperti amerikan, asnjë prej dy personave nuk kanë dhënë shpjegime, organi i akuzës ka vendosur të kërkojë dëshminë e tyre. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se menjëherë sapo Prokuroria e Përgjithshme të njihet zyrtarisht me vendimin e Parlamentit, do të dërgojë fletëthirrje në adresë të Beqirit e Priftit. Dy ish-zyrtarët e lartë të Ministrisë së Ekonomisë pritet të sqarojnë për llogari të hetimit përmbajtjen e videos, e cila është gjendur e fshirë në kompjuterin tip lap-top të ish-ministrit Prifti. Madje, thirrja e tyre, sipas akuzës, duhet të ishte kryer më herët, por për shkak të imunitetit të ish-ministrit ky veprim është anuluar. Vetëm pak ditë më parë, burime zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se është dërguar një fletëthirrje në adresë të ish-zv. minisrit Leonard Beqiri, por disa ditë më vonë organi i akuzës ka vendosur ta tërheqë atë. Arsyeja, siç shpjeguan burimet, kishte të bënte pikërisht me imunitetin e deputetit Dritan Prifti, i cili nuk lejonte kryerjen e veprimeve hetimore për zbardhjen e të vërtetës së videos 2. Por burimet thanë se jashtë vëmendjes së hetimit nuk do të lihet as video Meta-Prifti, e cila shërbeu si shkak për nisjen e hetimeve, që tashmë drejtohen nga Prokuroria e Përgjithshme. Duke qenë se dy protagonistët kryesorë të saj kanë dhënë shpjegime në Prokurori, thirrja e tyre për këtë çështje do të bëhet në një fazë të mëvonshme. Ky fakt arsyetohet me veprimet hetimore që duhet të kryhen tashmë që asnjë prej dy deputetëve nuk është më i mbrojtur nga imuniteti. Sipas Kodit të Procedurës Penale, organi i akuzës teorikisht mund të kryejë të gjitha veprimet hetimore të parashikuara në ligj, duke përfshirë edhe përgjimin telefonik për të dyshuarit. Megjithatë, burimet sqarojnë se dëshmitë e dy ish-ministrave do të kërkohen në momentin e duhur, pasi të sqarohen disa prej rrethanave të përmbajtjes së videos, zëri i së cilës nuk është marrë përsipër të transkriptohet as nga eksperti amerikan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›