Hezbollahu kërkon armëpushim, SHBA: Tregon se është goditur rëndë

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Mattheë Miller në një konferencë për mediat tha se kërkesa nga ana e Hezbollahut për armëpushim tregon se grupi terrorist është goditur rëndë.
Nënkryetari i Hezbollahut, Naim Qassem, tha në një fjalim televiziv se aftësitë e grupit të mbështetur nga Irani janë të paprekura dhe luftëtarët e tij po zmbrapsin inkursionet tokësore izraelite, pavarësisht nga “goditjet e dhimbshme” të shkaktuara nga Izraeli në javët e fundit.
Qassem tha se grupi mbështet përpjekjet e Kryetarit të Parlamentit të Libanit, Nabih Berri, një aleat i Hezbollahut, për të siguruar një armëpushim, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi asnjë kusht të kërkuar nga Hezbollahu.
“Për një vit rresht u bë thirrje për armëpushim, por Hezbollahu e refuzonte, dhe tani që Hezbollahu është në këmbë dhe po goditet, befas ata kanë ndryshuar melodinë e tyre dhe duan një armëpushim” thotë Miller.
Nga ana tjetër, Irani ka kërcënuar shtetet e Gjirit me hakmarrje nëse e lejojnë Izraelin të përdorë hapësirën e tyre ajrore për të sulmuar Teheranin.
Sipas Teheranit, do ishte “e papranueshme” nëse ata lejojnë që hapësira e tyre ajrore të përdoret kundër Iranit dhe çdo veprim i tillë do të sjellë një përgjigje.
Lajmin e ka bërë të ditur një prej zyrtarëve të lartë iranianë, ndërsa Teherani përgatitet për hakmarrjen izraelite për sulmin raketor të javës së kaluar.
“Irani e bëri të qartë se çdo veprim i një vendi të Gjirit Persik kundër Teheranit, qoftë përmes përdorimit të hapësirës ajrore apo bazave ushtarake, do të konsiderohet nga Teherani si një veprim i ndërmarrë nga i gjithë grupi dhe Teherani do të përgjigjet në përputhje me rrethanat”, tha për Reuters zyrtari i lartë iranian.
/rtsh.al/