Sulmi ndaj Hezbollahut, Netanjahu konfirmon vrasjen e pasardhësit të Nasrallahut

Kryeministri Benjamin Netanjahu ka konfirmuar vrasjen e Hashem Safieddine, i cili ishte projektuar si lideri i ri i Hezbollahut, pas vrasjes së Hasan Nasrallahut.
Sipas Netanjahut, Safieddine është goditur gjatë një sulmi ajror në Bejrut të enjten e kaluar, dhe kryeministri izraelit pretendon se në këtë operacion ka mbetur i vrarë edhe zëvendësuesi i Safieddine, por pa përmendur emrin konkret.
Në një video-mesazh në gjuhën angleze për publikun libanez, Netanjahu tha se Izraeli ka goditur aftësitë e Hezbollahut.
“Ne hoqëm qafe mijëra terroristë, duke përfshirë vetë udhëheqësin e jetëgjatë të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, dhe zëvendësuesin e Nasrallahut si dhe atë që do ta pasonte zëvendësuesin e tij. Sot, Hezbollahu është më i dobët se sa ka qenë për shumë vite,” është shprehur kryeministri izraelit.
Më pas Netanjahu i është drejtuar popullit libanez, se mbetet zgjedhja e tij se cilin drejtim do të marrë.
“Tani ju, populli libanez, qëndroni në një udhëkryq të rëndësishëm. Është zgjedhja juaj. Tani mund ta merrni përsëri vendin tuaj. Ju mund ta ktheni atë në një rrugë paqeje dhe prosperiteti. Nëse nuk e bëni, Hezbollahu do të vazhdojë të përpiqet të luftojë Izraelin nga zonat me popullsi të dendur në kurrizin tuaj”, ka theksuar më tej Netanjahu.
Kryeministri izraelit u ka bërë thirrje libanezëve që të ngrihen e të çlirojnë vendin e tyre nga Hezbollahu në mënyrë që lufta të përfundojë.
“Çlironi vendin tuaj nga Hezbollahu, në mënyrë që vendi juaj të mund të përparojë përsëri, në mënyrë që brezat e ardhshëm të fëmijëve libanezë dhe izraelitë të mos njohin as luftë as gjakderdhje, por më në fund do të jetojnë së bashku në paqe”, ka deklaruar më tej Netanjahu.
/rtsh.al/