E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidhet në erë makina e kandidatit të PS-së në Kukës

SHKRUAN: Ilda Tota 06-05-2011 11:04

Kukës Një shpërthim eksplozivi ka tronditur qytetin e Kukësit dje rreth orës 07:45 minuta të mëngjesit, duke shkaktuar panik tek qytetarët. 38-vjeçari Astrit Cengu, banor në qytetin e Kukësit, sapo është zgjuar në mëngjes ka marrë autoveturën e tij furiostradë ngjyrë të kuqërremtë dhe ka lëvizur deri te lokali përpara xhamisë së qytetit. Sipas policisë dhe dëshmitarëve, sapo ka zbritur nga makina dhe është larguar në një distancë prej 4 – 5 metra, është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm në automjetin me targa angleze N54 GEC, prej së cilës sapo kishte zbritur Cengu. Për fat të mirë, nga ky shpërthim nuk është lënduar as vetë Cengu, por as edhe kalimtarë të rastit që shkonin në punë, por vetëm dëmtime të makinës në anën e pasagjerit. Menjëherë me të dëgjuar shpërthimin, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet të ndihmuar edhe nga ekspertë të prokurorisë. Gjithashtu, edhe shtabi elektoral i PS-së është gjendur në vendngjarje, bashkë me deputetin socialist të Kukësit, Asllan Dogjani. Edhe prefekti i Kukësit, Elez Maci, nga vendi i ngjarjes e ka dënuar aktin dhe ka inkurajuar forcat e policisë të bëjnë zbardhjen sa më shpejt të saj.

Policia

Ndërkohë që rreth orë 16:00, vetë drejtori i Policisë së Kukësit, Sadri Ramçaj, doli në një deklaratë për shtyp duke thënë se “po punohet në mënyrë intensive nga ana e policisë së qarkut të Kukësit, duke bashkëpunuar me të gjitha strukturat e hetimit të krimit, për zbulim sa më të shpejtë të kësaj ngjarje. Ai tha se është ngritur grupi hetimor i kryesuar nga prokurori i Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Kukës, specialistë të policisë pranë Drejtorisë së policisë së qarkut dhe ekspertë të njësisë antieksploziv. Ramçaj kërkoi bashkëpunim me të gjithë shtetasit e këtij qarku, që kanë dijeni për këtë ngjarje të rëndë kriminale dhe që mund të japin informacione, duke bashkëpunuar me Policinë e Shtetit. Ndërkohë që ende sipas drejtorit të policisë nuk është përcaktuar sasia e eksplozivit apo lloji, pasi ekspertët nga Tirana do kthejnë përgjigje të hënën. I pyetur se a ka të shoqëruar, Ramçaj tha se janë disa persona në cilësinë e dëshmitarëve, kryesisht kalimtarë të rastit në atë çast, por ende nuk ka asnjë version zyrtar për shkaqet dhe autorët e mundshëm. Ai tha se të tre kandidatët e kësaj komune nuk kanë pasur problem gjatë gjithë kohës së fushatës. Nga ana e tij, Cengu ka deklaruar se nuk ka pasur problem me askënd dhe ky shpërthim i është bërë, sipas tij, për shkakun e kandidimit të tij për kryetar komune.

Ndërkohë, pasdite deputeti Dogjani është ndodhur në fshatin Shtiqën, për të mbështetur Astrit Cengun para elektoratit, duke u ndalur gjatë në shpërthimin që ndodhi dje paradite në makinën e Cengut. Ai tha se “nuk do doja ta nisja këtë takim përfundimtar të fushatës elektorale me ngjarjen e rëndë politike që tronditi Kukësin, që në mëngjes, ku u tentua të eliminohej fizikisht kandidati jonë. Dua që të kuptoni se këta pushtetarë që bëjnë thirrje për qetësi dhe nga ana tjetër kërkojnë të eliminojnë kandidatin tonë, njerëzit më të mirë. Kjo ngjarje e rëndë na kujton edhe ngjarjen e para pak muajsh, ku u vra Remzi Veseli. Ministri i asaj kohe tha se ngjarja nuk ishte politike dhe se shteti do ta zbulojë. U rrëmbye vajza në fshatin Zapod dhe u deklarua nga ministri, që sot kërkon votën e qytetarëve për siguri, duke thënë se do gjejmë së shpejti, por vajza sot e asaj dite nuk i dihet fati”, tha ndër të tjera deputeti i Kukësit, Asllan Dogjani. Ndërkohë vetë Cengu, i cili i shpëtoi një atentati dje në mëngjes, i tronditur dhe i emocionuar nga pritja, ka falënderuar të gjithë banorët dhe socialistët për mbështetjen.

Aktin e ka dënuar menjëherë, duke e cilësuar ngjarjen të rëndë me prapavijë politike, kryetari i PS dega Kukës Ylber Duraku.

Si e komentoni ngjarjen e djeshme?

Dje në mëngjes u tronditët qytetarët e Kukësit, në një ngjarje të rëndë me sfond politik. Kryeministri Berisha bën thirrje për qetësi, por ju po e shihni sesi kandidatët tanë po trysnohen me bomba, me dinamite dhe nuk është ajo që thuhet në media. Ne kërkojmë nga organet kompetente që kjo ngjarje e rëndë politike të zbardhet sa më parë.

Pra, sipas jush, ka bazë politike ngjarja dhe a ka pasur sinjalizime më parë për gjëra të tilla në drejtim të Cengut?

Kandidati ynë është djali më i mirë që kemi ne si kandidaturë në këtë komunë dhe e themi me bindje të plotë se është politike ngjarja. Nuk ka pasur më parë kërcënime. Unë nuk di autorët, ua lë organeve kompetente zbardhjen e ngjarjes. Asnjëherë kandidatët tanë nuk janë përfshirë në ngjarje të tilla dhe në afera. Kjo tregon se kundërshtarët tanë politike po përpiqen si gjithmonë ti marrin votat me dhunë e me akte terroriste. Kundërshtarët tanë politikë po e përdorin pushtetin për të vjedhur dhe nuk e lëshojnë me votë. Në kemi dhe rastin ende te pazbuluar të vrasjes se kryetarit të komunës Tërthore, Remzi Veseli.

Cili është mesazhi juaj për votuesit tuaj, pas kësaj ngjarjeje?

U bëj thirrje qytetarëve të Kukësit, të ruajnë qetësinë, të mos tronditen, se ne jemi mësuar të bëjmë më të mirën dhe popullin ta lëmë të lirë, që me votën e tij të zgjedhë më të mirën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›