Ndjekje penale kandidatit të pavarur të Bashkisë së Sukthit
DURRËS- Kandidati i pavarur, që është regjistruar për të garuar për kreun e bashkisë së Sukthit në zgjedhjet e 8 majit nuk do të mund të jetë pjesë e këtij procesi, pas kërkesës që prokuroria e rrethit gjyqësor Durrës i ka dërguar KZAZ nr. 9. Në një njoftim për procedim penal ndaj Hysen Llacës, kandidat i pavarur për Bashkinë e Sukthit, bëhet e ditur se Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet, pas denoncimit që ka bërë dega e Partisë Socialiste, në lidhje me vërtetësinë e dokumentacionit që Hysen Llaca ka paraqitur për regjistrimin e tij si kandidat i pavarur. Dega e PS-së ka shprehur dyshimet e saj, duke e akuzuar kandidatin Llaca për falsifikim të dokumenteve dhe falsifikim të dokumenteve dhe rezultatit të zgjedhjeve. Hysen Llaca ka qenë kryetar i Bashkisë së Sukthit, në vitet 2003-2007, si kandidat i propozuar nga Partia Socialiste, por në këto zgjedhje ai doli i pavarur, pasi emri i tij nuk u miratua nga kryesia e PS-së. Duke marrë në konsideratë kallëzimin penal, që dega e PS-së ka bërë që më 14 prill për Hysen Llacën, Prokuroria e Durrësit ka arritur në përfundimin se nga tetë deklarata mbështetëse që pretendonte dega e PS-së se janë të rreme, vetëm katër prej tyre rezultojnë të tilla. Në njoftimin e prokurorisë, që është firmosur nga prokurori i rrethit Altin Binaj, theksohet se Instituti i Policisë Shkencore në Tiranë ka sjellë para tri ditësh aktin e ekspertimit grafik të shkrimit dhe nënshkrimit dhe sipas këtij akti, deklaratat e zgjedhësit që mbështet kandidatin e modelit 09, katër deklarata, janë të falsifikuara. Më konkretisht bëhet fjalë për firmat e shtetasve Anesti Dokolli, Vasilika Petani, Kristina Petani dhe Bajram Kebej. Prokuroria e Durrësit i ka shtrirë edhe më tej hetimet, rreth shtetasit Hysen Llaca, i cili tashmë rezulton i regjistruar nga KZAZ nr. 9 për kreun e Bashkisë së Sukthit, ndërkohë që emri i tij është shtypur edhe në fletët e votimit për zgjedhjet e 8 majit. Në bazë të hetimeve të mëtejshme, prokuroria ka bërë të ditur se Hysen Llaca ka qenë i dënuar me tetë muaj heqje lirie dhe 400 000 lekë gjobë, me vendimin penal nr. 479 të datës 10.9.2008. Dënimi me burgim është pezulluar për tre vjet, por Gjykata e Apelit me vendimin e datës 18.2.2009 ka dhënë vendimin e formës së prerë, duke e cilësuar dënimin të ekzekutueshëm. Në kushte të tilla, prokuroria ka argumentuar se shtetasi Hysen Llaca është duke vuajtur dënimin, i cili i mbaron në datën 18.2.2012. Gjithashtu theksohet edhe fakti se për efekte të regjistrimeve në zyrën gjyqësore, këto shënime dhe fakti i të qenit i dënuar, do të vazhdojnë të japin efekte edhe pesë vjet të tjera, pas përfundimit të dënimit. Në kushte të tilla, duket se Hysen Llaca nuk ka asnjë shans që të garojë për zgjedhjet e 8 majit, ndonëse limitet kohore për çregjistrimin e tij janë në afatet e fundit. Prokuroria ka kërkuar nga KZAZ nr. 9 që të marrë të gjitha masat administrative në zbatim të neneve 45, 69 dhe 71 të Kushtetutës, në të cilat theksohet se një person që është dënuar me vendim të formës së prerë me heqje lirie nuk mund të zgjidhet. Për Bashkinë e Sukthit kandidojnë shtetasit Selami Xhelili për koalicionin “Aleanca për të ardhmen” dhe Sherif Fortuzi për koalicionin “Aleanca për qytetarin”.