Hidhet në erë makina e shefit të krimeve të Komisariatit 1
Artur Hyka: Nuk kam marrë asnjë kërcënim, por tani ndihem i rrezikuar
Tiranë/Një tjetër atentat, ka ndodhur ditën e djeshme në kryeqytet, ku objektivi i shpërthimit ka qenë pikërisht automjeti i shefit të krimeve në komisariatin nr 1 në Tiranë Artur Hyka. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit në afërsi të urës së Gjerosës, ku automjeti i shefit të krimeve Artur Hyka ka shpërthyer ndërsa ishte e parkuar, çfarë ka bërë që fatmirësisht të mos ketë as të lënduar në njerëz. Ndërkaq anti-terrori ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa pista kryesore në të cilën po hetohet është ajo për shkak të detyrës. Mësohet se sasia e lëndës eksplozive ishte e vogël dhe ndezja është kryer me fitil përcjellës. Nga skema dhe sasia e vogël e eksplozivit dyshohet se bëhet fjalë për një kërcënim. Edhe pse shpërthimi i automjeti ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, policia e ka publikuar lajmin vetëm pasdite, duke mos dhënë asnjë detaj për deklaratat që shefi i krimeve ka dhënë si deponim për këtë ngjarje. Nga të dhënat e Policisë, persona të panjohur kanë vendosur një sasi eksplozivi në makinën e shefit të krimeve të komisariatit numër 1, por sipas gjasave personat e atentatit kanë dashur vetëm ta kërcënojnë shefin e krimeve, ndërsa mësohet se masa e eksplozivit është vendosur gjatë natës. Policia po heton në disa pista, ndërsa dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të detyrës. Autoritetet po punojnë për të zbuluar identitetin e autorit dhe arrestimin e tij. Pak ditë më parë në Tiranë iu vendos eksploziv makinës së një biznesmeni ndërtimi në rrugën Siri Kodra. Policia dyshon se ngjarja lidhet me mosmarrëveshjet mes tij dhe personave që u ka shitur apartamente, por nuk ka ende asnjë të arrestuar për ngjarjen.
Flet shefi i krimeve
Vetë shefi i krimeve në komisariatin nr. 1 ka deklaruar se është tepër i shqetësuar për këtë ngjarje, ndërsa sipas tij fatmirësisht familja e tij dhe ai nuk kanë qenë asnjëri në automjet gjatë shpërthimit, pasi makina ka qenë në parking. Nuk kam pësuar asgjë se makina kur shpërtheu ishte në parkim poshtë pallatit, por ndihem keq dhe i rrezikuar, thjesht jam i alarmuar për këtë ngjarje, jam thjesht i shqetësuar, nuk kam dhe as nuk pasur konflikte me askënd as më është bërë ndonjëherë ndonjë kërcënim, nga ndonjë person por dyshoj që është e lidhur me punën që unë kryej. Kjo ka qenë deklarata e shefit të krimeve të komisariatit nr. 1 i cili nuk ka dhënë sqarime të mëtejshme për mediat.