Humb shtëpinë pas 50 vitesh, i moshuari tenton të vetëdigjet
Durrës/Një ngjarje e cila mund të përfundonte edhe në tragjedi është parandaluar ditën e djeshme në qytetin e Durrësit, ku një i moshuar për të kundërshtuar urdhrin e Përmbarimit, për të liruar banesën ku jetonte prej më shumë se gjysmë shekulli, ka humbur kontrollin duke e lyer shtëpinë e tij me benzinë e më pas ka tentuar të vetëdigjej. Kanë qenë dy orë paniku, mes banorëve të pallatit, punonjësve të përmbarimit, dhe uniformave blu për të bindur të moshuarin të zbriste nga dritarja ku ai kërcënonte se do të vetëvritej, madje do të hidhte në erë me një bombë molotov gjithë ndërtesën. Pas katër orësh vetëm ndërhyrja e forcave speciale RENEA bëri të mundur neutralizimin e situatës dhe shmangien e flijimit të Isuf Gjilanit, 60-vjeçarit që kërcënonte me bombë Molotov. Ai pretendonte se apartamenti ku jeton i takon atij prej 60 vitesh, nuk ka pasur pronarë, sepse është ndërtuar nga italianët dhe se pa i gjetur një shtëpi tjetër do të vriste veten. Sipas dokumentacionit të përmbarimit, ish pronarë të truallit të pallatit ku banonte 60 vjeçari mendohet të jetë vjehrri i Presidentit Nishani. Incidenti nisi rreth orës 11:00 të ditës së djeshme, afër qendrës së Durrësit, lagja nr. 4. Isuf Gjilani është parë të dalë në ballkon me një bidon benzinë në dorë dhe çakmak. Kur ka parë punonjësit e Përmbarimit te dera, 60-vjeçari ka hedhur sinjalin duke bërtitur; nëse hyni brenda, do vetë digjem dhe do i vë zjarrin gjithë pallatit !. Kjo situatë është ndjekur nga qindra banorë, teksa në një moment u panë edhe vatra zjarri në oborrin e shtëpisë dhe tym. Është dashur ndërhyrja e policisë, zjarrfikësve dhe forcave speciale të ardhura nga Tirana, që pas disa orësh të qetësonin të moshuarin dhe ta nxirrnin nga banesa për shoqërim në komisariat. Por për të zgjidhur situatën, është dashur edhe tërheqja nga vendimi i punonjësve të Përmbarimit. Në negociatat me efektivët, Gjilani ka shpjeguar se zotëron dokumente si pronar i banesës së tij. Ky pallat është ndërtuar nga italianët dhe jo shqiptarët. Nuk ka pronarë që prej kohës së luftës dhe unë banoj këtu prej 60 vitesh, ka shpjeguar Gjilani. Për minuta të tëra ai nuk pranoi as negociata me forcat speciale të ardhura nga Tirana, duke hedhur edhe tulla në rrugë, ndërsa ndezi edhe një zjarr përreth tij. Nuk kam ku të shkoj tjetër, do djeg gjithë pallatin nëse më nxirrni me forcë, ka paralajmëruar 60-vjeçari.