Hidhet në erë me eksploziv makina e biznesmenit
Tiranë- Automjeti i një biznesmeni është hedhur në erë me eksploziv dy ditë më parë, në afërsi të Kthesës së Kamzës në Tiranë. Autorët janë ende të paidentifikuar, kurse lajmi është mbajtur i fshehtë nga policia për shkak të hetimeve për zbardhjen e tij.
Hetimet
Burime policore thanë se automjeti tip Benz, me targa TR3093P, në pronësi të Gëzim J., është shpërthyer me një sasi eksplozivi që aktivizohet në distancë me telekomandim. Nga shpërthimi është shkatërruar thuajse plotësisht vetura, si dhe janë dëmtuar automjetet dhe xhamat e pallatit ku banon biznesmeni me origjinë nga Tropoja, pronar i një kompleksi pikë karburanti-hoteli dhe restoranti, në hyrje të autostradës Tiranë-Vorë. Burimet thanë se shkak për shpërthimin dyshohet një konflikt për motive të dobëta, dhe objekt ka qenë kanosja e biznesmenit. Në fakt, biznesi i Gëzim J., ka qenë disa herë objekt grabitjeje apo plagosjeje me armë, por sipas policisë këto janë ngjarje spontane dhe nuk kanë lidhje me shpërthimin e makinës. Policia mori në pyetje vetë biznesmenin dhe familjarët e tij, ndërkohë që ka bërë disa shoqërime personash që mendohet se janë të përfshirë edhe në ngjarjet e mëparshme. Informacionet për këtë sulm me eksploziv janë të rezervuara, pasi policia nuk jep detaje për shkak të ngjarjes kompleks.
Vdiq në aksidentin e Lushnjës, makinën e vodhi në Elbasan
Lushnjë- I riu që humbi jetën në një aksident të rëndë të ndodhur tek vendi i quajtur Rotondo e Plukut në Lushnjë, pasditen e të dielës, zbulohet se e kishte vjedhur veturën në qytetin e Elbasanit dhe pronari e kishte denoncuar ngjarjen në komisariat. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00, në aksin Grabian-Pluk, teksa me makinën Benz, me targa EL8424B, i cili sipas dokumentacionit i përket Beqir B., nga Elbasani, ka humbur kontrollin e drejtimit dhe është përplasur me pishat që ndodheshin në anë të rrugës, e më pas me një mjet tjetër tip furgon, me targa AA337AP, i cili ndodhej i parkuar në shesh-pushimin e servisit aty pranë. Si pasojë e kësaj përplasje, drejtuesi i mjetit, i identifikuar nga policia si Mariglen Meta, ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Policisë i është dashur disa orë punë për identifikimin e viktimës, ndërsa pas gjetjes së pronarit të veturës u mësua se ai nuk ka pasur dijeni dhe as e njihte Metën, por makinën ia kishin vjedhur në vendin e parkuar mëngjesin e të dielës. I riu ka shmangur disa postblloqe policore, por për fat të keq në shpejtësi të madhe është përplasur me pemët. Policia e Lushnjës po bashkëpunon me atë të Elbasanit për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje dhe vendin ku do dërgohej mjeti i vjedhur.
Hetimet
Personi i aksidentuar me pasojë vdekjen, Mariglen Meta, figuron banues në fshatin Rrasë të rrethit të Elbasanit. Pronari i mjetit ka thënë se nuk e njihte të riun dhe se makinën ia kishin vjedhur persona të paidentifikuar. Mjeti është denoncuar si i vjedhur nga pronari Beqir B., ndërsa ngjarja u zbulua vetëm pas aksidentit në fshatin Golem.